76 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një ish-roje i një kampi përqendrimi do të përballet me akuzat e bashkëpunimit në vrasjen e 3,518 të burgosurve në kampin Sachsenhausen të Berlinit.

I njohur për mediat si “Josef S.” akuzohet se bashkëpunoi në vrasjen e të burgosurve sovjetikë me pushkatim dhe gaz.

Ai është i akuzuari më i moshuar në historinë e çështjeve të Luftës së Dytë Botërore. Ligjet në Gjermani e mbrojnë identitetin e tij, pasi ai nuk ka folur asnjëherë publikisht për të shkuarën.

Për të dihet se ishte 21 vjeç në vitin 1942 kur u kryen vrasjet masive. Tashmë është rreth 101 vjeç, por sidoqoftë gëzon shëndet të mirë dhe autoritetet besojnë se mund t’i nënshtrohet një procesi gjyqësor.

Një qendër gazi në Sachsenhausen vrau mbi 3 mijë persona në periudhën 1942-43 me arsyen absurde se “nuk ishin të përshtatshëm për të marshuar”.

Çështjet ndaj krimeve naziste të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë mbyllur vitet e fundit për shkak se të akuzuarit, apo të dyshuarit për krime nuk jetonin më.