Krishtlindjet do të shënojnë natën finale të spektaklit të vallëzimit “Dance With Me”, për t’i lënë vendin një tjetër programi që do të nisë në 2018-n, në ekranin e Tv Klan.

Bëhet fjalë për spektaklin ku protagonistë do të jenë fëmijët e talentuar. Emisioni do të mbajë emrin “Në kurthin e Piter Pan”.

Duke marrë shkas nga interesimi i madh i prindërve, prezantuesja Alketa Vejsiu sqaroi se janë dy programet që do të nisin për fëmijë, “Në kurthin e Piter Pan” dhe “Virtuozët”.

Vejsiu theksoi se “Në kurthin e Piter Pan” kërkohen fëmijë që janë të aftë të fusin në ‘kurth’ personazhe të njohur të ekranit, si të ishin gazetarë dhe ky program do të nisë në fund të muajit Shkurt.

Për emisionin tjetër, për të cilin nuk ka ende një datë se kur do të nisë, kërkohen fëmijë të talentuar në muzikën klasike.

“Dua të sqaroj diçka. Fillon shumë shpejt edhe një spektakël tjetër për fëmijë, në muzikën klasike të talentuar. Ky nuk ka lidhje me “Piter Pan”. Tek “Në kurthin e Piter Pan” ne kërkojmë fëmijë që janë të aftë të fusin në kurth personazhe të njohur të ekranit, politikës, spektaklit, tamam si gazetarë origjinalë të vegjël. Ky program do të startojë në fund të muajit Shkurt në Tv Klan dhe faza e dytë e audicioneve do të anonçohet shumë shpejt në këtë televizion, për t’i dhënë një shans të dytë atyre që janë të interesuar”.

Vejsiu falenderoi të gjithë ata prindër që erdhën në ambientet e Televizionit Klan dhe qëndruan për orë të tëra bashkë me fëmijët e tyre, në mënyrë që këta të fundit të jenë pjesë e këtij spektakli. Ajo u shpreh se pjesëmarrja ka qenë e jashtëzakonshme.

“Në 2018-n takohemi me një spektakël të ri, që na ka kënaqur shumë këtë javë sepse bënë audicionet e para të Piter Pan-it. Dua të falenderoj me gjithë zemër në emër të Tv Klan dhe produksionit të gjithë ata qindra prindër dhe familje që kanë ndenjur këtu me orë të gjata. Ne na doli jashtë kontrollit dhe jashtë parashikimit, sepse kishim pritshmëri më modeste, sepse e thamë vetëm njëherë gjatë javës së kaluar datën. Shpresoj që do të krijojmë një gjeneratë të re talentesh në gazetari dhe në komunikim, me gjithë ato fëmijë të mrekullueshëm që kemi takuar”.

 

Burimi / tvklan.al