Kur flasim për rritje, flasim për avancimin, zgjerimin, pjekjen dhe zhvillimin përtej gjendjes sonë aktuale. Ne e dimë se rritja nuk kufizohet vetëm në ndryshimet fizike.

Në të vërtetë, rritja mendore, emocionale ose shpirtërore është shpesh më sfiduese sesa ndryshimet që hasim në qenien tonë fizike. Këto ndryshime mund të nxiten nga një sërë faktorësh, duke përfshirë dhe dhimbjen.

Ju mund të mendoni se të jetoni në një botë pa dhimbje do të na bëjë më mirë, por këtu është arsyeja pse ne nuk duhet t’i druhemi përvojave negative.

Si udhëheq dhimbja drejt rritjes

1. Dhimbja na detyron të zgjedhim.

Rritja dhe zhvillimi ynë personal shpesh merr formë gjatë udhëtimeve të papritura dhe përvojave me të cilat duhet të përballemi kur gjendemi në vështirësi të mëdha. Këto mund të na vënë në pikëpyetje vendosmërinë tonë dhe të na detyrojnë të testojmë këmbënguljen tonë.

Për t’u rritur, ne duhet të fitojmë betejën mes:

  1. Ruajtjes së Status Quo-s (gjendjes aktuale të rehatit)
  2. Guximit për të kërkuar atë ylberin që del pas shiut.

Është një zgjedhje e vështirë për t’u bërë. Në përpjekjen tonë për t’u rritur, nëse zgjedhim këtë të fundit, ne jemi të destinuar të përplasemi, të rrëzohemi, të dekurajohemi, të humbasim gjërat e çmuara dhe madje të prishim dhe disa marrëdhënie!

Largimi nga njerëzit dhe pasuria mund të jetë mjaft e dhimbshme. Por nganjëherë, kërkohet që të pastrohet rruga që na çon në qëllimin që kërkojmë. Pra, pavarësisht nga dhimbja që ndiejmë, duhet të bëjmë zgjedhje të vështira nëse duam të përmbushim ëndrrat tona.

2. Dhimbja inkurajon ndryshimin, i cili na nxit të rritemi.

Kur hasim dështim ose humbje, ne jemi të detyruar të reflektojmë mbi zgjedhjet tona, vendimet tona dhe veten tonë. Në këto raste, ne vlerësojmë atë që bëjmë dhe si e bëjmë.
Ne hapim sytë, veshët dhe zemrat tona për të kuptuar pasiguritë ose mangësitë. Pikërisht në këtë gjendje ne kemi më shumë gjasa të hedhim sytë nga egoja jonë dhe të përulemi.
Në këto kushte, ne shpesh e gjejmë veten në një pozitë ku jemi të gatshëm të pranojmë se disa nga zgjedhje tonat nuk përputhen me qëllimet tona. Ne ndiejmë nevojën e pashmangshme për ndryshim. Ndonjëherë, vetëm kemi nevojë për një “rifillim”. Çfarë mund të jetë dukur e pamundur deri më sot, mund të bëhet realitet për shkak të dhimbjes sonë.

3. Dhimbja na shtyn të kërkojmë ndihmë.

Dështimet apo eksperiencat e vështira na bëjnë të ndihemi të dobët. Kjo përulësi na lejon zakonisht që t’i interpretojmë situatat ndryshe. Ne fillojmë t’i shohim të tjerët si partnerë, ndihmës, mentorë, jo thjesht si konkurrentë.

Ne bëhemi të hapur për t’u mbështetur te të tjerët dhe për të kërkuar ndihmë. Ne ndajmë mendimet dhe idetë tona. Në vend që të përqendrohemi në sjelljen agresive ndaj të tjerëve, ne pranojmë forcën që mund të fitojmë nëse bashkohemi me ta.

Ne e kuptojmë se të fitosh nuk do të thotë të vësh dikë tjetër përfund ose të bllokosh rrugën e tyre por do të thotë të bësh garën më të mirë që mundesh.

Ndonjëherë pa dhimbje, nuk detyrohemi të bashkohemi me të tjerët. Kërkimi i ndihmës nuk është një shenjë e dobësisë që mund të përdoret kundër nesh. Përkundrazi, kjo mund të përcaktohet si mundësi për t’u lidhur dhe për të thelluar përvojat tona.

 

4. Dhimbja shërben si një inkubator për rritjen

Dhimbja ka potencialin të prijë në shtegun e krijimit të ideve të reja. Shpesh, kur e gjejmë veten në një situatë të vështirë, ne kuptojmë se nuk mjafton thjesht të ulim kokën e të punojmë më fort por duhet të “mendojmë në mënyrë kreative” për një zgjidhje.

Ne hulumtojmë opsionet që nuk i kishim menduar apo konsideruar më parë. Në mes të errësirës dhe shkretëtirës mendore, imagjinata do të lulëzojë duke gjetur një rrugëdalje nga një situatë mbytëse. Është momenti i zgjedhjes mes: të heqësh dorë ose të dalësh jashtë.

Nga një pozicion i dhimbshëm, mblidhni çdo grimcë guximi, force dhe urtësie që ju duhet për të krijuar zgjidhje dhe alternativa. Përdorni dhimbjen tuaj për të përcaktuar një kurs veprimi. Kthejeni qëndrimin tuaj mbrojtës (duke u përpjekur të mbijetoni), në ofensivë (duke orientuar rrugën tuaj dalëse).

Me këmbëngulje të përtërirë, do të jeni të durueshëm për t’u përballur me çdo situatë. Përvojat tona të dhimbshme mund të rezultojnë në rritje dhe zhvillim personal përtej pritshmërive tona.

5. Dhimbja ndërton përvojat dhe njohuritë tona  dhe na jep mjetet për arritje.

E dëgjojmë shpesh “Përvoja është mësimi më i mirë!”. Dhimbja krijon përvojë. Në fakt  dhimbja krijon një magazinë me “bëj” dhe “mos bëj” të cilën ne e përdorim kur duam të marrim vendime apo të ndërmarrim veprime. Pengesat që na ngadalësojnë sot, mund të na ndihmojnë në  të ardhmen. Nëse ne mësojmë prej këtyre përvojave, nuk do të bëjmë të njëjtat gabime në të ardhmen. Ne nuk do të pësojmë të njëjtat humbje sepse do dimë se si të kthejmë situatën në favor.

Çdo përvojë shërben si shembull për të na çuar përpara; duke mposhtur frikën tonë dhe duke na ndihmuar të rritemi. Çdo përvojë e dhimbshme ndërton botëkuptimin tonë. Kjo ndërton vetëbesimin dhe na përgatit për t’u përballur me një mori situatash që na dalin përpara.

Pa dhimbje, nuk mund të lulëzojmë. Pra, mos ikni prej saj – përballuni me të në mënyrë që të mund të gjeni rrugën tuaj drejt suksesit. Dhimbja na siguron mjetet që na duhet për të fituar çdo sfidë.

Nga Jacqueline Walker