Në orët dhe ditët në vijim vendi ynë pritet të përfshihet nga vala e të ftohtit polar. Temperaturat e ulëta pritet të mbizotërojnë në të gjitha zonat. Sipas Meteoalb, duke filluar nga mëngjesi i të shtunës deri pasditen e të dielës temperaturat në vendin tonë do të jenë në vlera negative si dhe do të ketë prezencë të erës së ftohtë.

Meteorologia e MeteoAlb Lajda Porja për mediat ka thënë se i gjithë rajoni do të përfshihet nga i ftohti që vjen nga poli i Veriut, ndonëse temperaturat i konsideron tipike të një dimri.

“Valët e ftohta vijnë disa herë në stinën e dimrit, por ne jemi mësuar që në 3 dekadat e fundit të kemi dimra jo shumë të ftohtë. Mëngjesi i së shtunës do të jetë i ftohtë, deri në -11 gradë do të shënojë termometri në zonat malore. Zonat më të ftohta do të jenë zonat malore, si Korça,  Erseka, Bilishti, Kukësi, Librazhdi, Dibra, Puka, Bajram Curri dhe Bulqiza, ku temperaturat do të arrijnë nga -11 deri në -15 gradë dhe në fshatrat më të thellë deri në -19 apo -20 gradë.

Kryesisht verilindja dhe juglindja do të jenë më të ftohta dhe do analizojmë dhe valën ku  do të shënohen dhe temperaturat më të ulëta. Acari do të qëndrojë për 5 ditë në vendin tonë por ajo që vlen të theksohet është se nuk do të kemi reshje.

Meteorologia theksoi se pas këtyre 5 ditëve të ftohta, termometri do të shënojë vlera pozitive në Ultësirën Perëndimore, në  zonat malore do të kemi një ngritje nga -19 deri në -8 gradë.