Adoleshentja Nella Salminen u bë të mërkurën Presidente e përkohshme e Finlandës duke i marrë për një ditë postin Presidentit Sauli Niinisto.

Salminen, 16 vjeçe, e pati këtë mundësi si pjesë e fushatës #GirlsTakeOver e nisur ndërkombëtarisht për t’i dhënë më shumë hapësirë vajzave në vendimmarrje, apo sipërmarrje biznesi.

Ajo kreu gjatë së mërkurës takime me politikanë të ndryshëm dhe adresoi një konferencë mbi çështjet e klimës. Krah saj kishte Presidentin e vërtetë, Niinisto.

Adoleshentja u përfshi edhe në një video-konferencë e mbajtur nga Presidenca për rolin e vajzave dhe mundësitë për promovimin e tyre në shoqëri.
Qeveria finlandeze e kryeministres Sanna Marin ka si qëllim kryesor promovimin e vajzave dhe të rinjve në postet drejtuese. Marin u bë në vitin 2019 më e reja në moshë që merr përsipër drejtimin e vendit.

Vetëm 34 vjeçe, ajo realizoi një koalicion qeverisës me pesë partitë e qendrës së majtë, të cilat gjithashtu drejtoheshin nga gra.