Dy ministrat e Diasporës, Pandeli Majko e Dardan Gashi gjatë qëndrimit në SHBA kanë takuar edhe disa nga afaristët më të suksesshëm shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Nju-Jorkut.

Në njoftimin për media thuhet se me ta kanë diskutuar për projekte dhe kërkesa konkrete që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kosova e Shqipëria kanë shumë produkte me cilësi të lartë, të cilat eksportohen, mirëpo ajo që mungon është promovimi i tyre i mirëfilltë, u tha në këtë takim. Në mesin e afaristëve i pranishëm ishte edhe asamblisti i vetëm shqiptar i Asamblesë së qytetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.

“Kosova është duke e përmirësuar në masë të madhe klimën e përgjithshme për investime. Lajm i mirë është nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri, në vlerë  1.2 miliardë dollarë, nga kompania amerikane, që tregon qartë për mundësitë dhe sigurinë e investimeve strategjike nga kompani serioze në Kosovë”, tha ministri Gashi.

Në këtë takim, po ashtu, u dakordua në parim një vizitë e afaristëve nga ShBA-të në Kosovë.

Ministri Gashi dhe ministri Majko takuan edhe rrjetin e profesionistëve shqiptarë në Ner-York “APEN”, me të cilët diskutuan për organizimin e rrjeteve të profesionistëve dhe të  studentëve në Amerikë, shkëmbimin e përvojave dhe sjelljen e ekspertizës në Kosovë dhe Shqipëri.

Burimi / albinfo.ch