Pirateria televizive merr një tjetër goditje në Shqipëri. Një rrjet që tregtonte në mënyrë të paligjshme Dream Box e Android Smart Box u shkatërrua nga policia e Tiranës.

Agjentët e hetimt të krimit ekonomik e financiar në bashkëpunim me Prokurorinë arrestuan shtetasit Kristo Taka, Valer Pinderi dhe Brenat Xhuti pasi piratonin në mënyrë të paligjshme programe televizive pa të drejtën e autorit, me qëllime përfitimi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, 57 aparate “Dream box” dhe “Smart box”, një automjet, 3 USB, 3 aparate celularë si dhe një sasi kartëmonedhash. Të gjithë këta shtetas akuzohen për mashtrim, fshehje të ardhurash e riprodhim pa të drejtë të veprës së tjetrit.

Mes programeve të piratuara nga platforma ndërkombëtare ishin shumë kanale të Platformës Digitalb për filma, filma për fëmijë e sport duke i shkaktuar një dëm tepër të madh kësaj kompanie që investon financime kolosale për të siguruar të drejtat televizive për abonentët e saj.

Digitalb prej vitesh i prin një fushate të tillë të organeve ligj zbatuese kundër piraterisë dhe ka mbështetur e do të mbështesë edhe në të ardhmen çdo aksion të ndërmarrë në këtë drejtim.

Digitalb inkurajon çdo hetim dhe ndëshkim të operatorëve ilegalë që prishin konkurrencën e ndershme dhe kërkojnë të çrregullojnë tregun për përfitime të paligjshme në programet IPTV.

Një mega-aksion i ngjashëm u krye pak ditë më parë në mënyrë të sinkronizuar edhe në disa vende të Europës, si Qipro, Holandë, Bullgari, Greqi të bashkërenduar me policinë europiane, Europol.

Burimi / Top Channel