100 vite më parë lindi Earlston J. Cameron, i cili është një ndër aktorët e parë me ngjyrë i cili ka kontribuar kundër paragjykimeve dhe racizmit në botë.

Earlston J. Cameron, i njohur më shumë si Earl Cameron, me paraqitjen e tij në filmin “Pool of London” të vitit 1951, u bë aktori i parë me ngjyrë në atë kohë që luan një rol kryesor në një film britanik.

Me talentin dhe rolet e tij, aktori tashmë 100-vjeçar Cameron solli një frymë të re në industrinë e filmit dhe marrëdhëniet racore në atë kohë, ku me paraqitjen e tij si Johnny Lambert, në “Pool of London” për herë të parë shohim një njeri me ngjyrë që është në pozitë më të lartë, kundrejt personazheve të tjerë të bardhë.

Pas paraqitjes së tij në “Pool of London”, ai luajti rolet kryesore edhe në filma tjerë si “Simba”, “Mau Mau”, “The Heart Within”, “Sapphire”, “The Message”, “Tarzan the Magnificent”, “Flame in the Streets”, “Tarzan’s Three Challenges”, “Guns at Batasi” “Battle Beneath the Earth”, “A Warm December”, “The Interpreter”, “The Queen”, “Inception”, “Up on the Roof”, etj..

Filmi “Pool of London” është bërë në vitin 1951 me skenar nga Jack Whittingham dhe John Eldridge, regji të Basil Dearden, ndërsa producent i filmit është Michael Balcon.

Earlston J. Cameron, ka lindur në Pembroke Parish, Bermuda më 8 gusht të vitit 1917, ndërsa më 29 tetor të vitit 1939 është shpërngulur në Angli, ku ka vazhduar karrierën e tij si aktor. Sot ai shënon përvjetorin e tij të 100-të.