Aktori Alec Baldwin qëlloi aksidentalisht për vdekje fotografen Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin Joel Souza gjatë xhirimit të një skene filmi në New Mexico.

Baldwin supozohej të regjistronte një skenë të filmit “Rust” ku do të qëllonte me armë. Dyshohet se arma nuk është kontrolluar përpara xhirimeve.

Hutchins, 42 vjeçe, dhe Souza, 48 vjeç, u qëlluan rreth orës 1:50 pas mesnate. Ata u dërguan menjëherë në spital, por 42-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.

Autoritetet po hetojnë për të zbardhur më konkretisht dinamikën.

Aktualisht për Baldwinin, 63 vjeç, nuk janë ngritur akuza për vrasje. Përgjegjësit e regjistrimeve reaguan me hidhërim përmes një deklarate për shtyp ku theksuan se do ta ndërpresin pa afat vijimin e filmit.

“Rust” është një film western që flet për një djalë 13-vjeçar i cili bashkë me gjyshin janë në arrati pas vrasjes aksidentale të një polici të zonës.

Vrasja me armë në skenë ka sjellë në kujtim rastin e vitit 1993 kur aktori Brandon Lee, – djali i mjeshtrit të arteve marciale Bruce Lee, – u vra pasi u qëllua me armë të vërtetë gjatë xhirimit të një skene të filmit “The Crow”. Ai ishte 28 vjeç.

Në vitin 1984 aktori Jon-Erik Hexum u vra gjatë regjistrimit të një skene të filmit “Cover Up”. Personazhi që interpretonte supozohej të vetëvritej duke u qëlluar me armë. Por pistoleta me plumba manovër nuk u kontrollua para skenës.