Aktorja ruse Yulia Peresild dhe regjisori Klim Chipenko pritet të nisen të martën drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për të xhiruar të parin film në hapësirë.

Ata do të shoqërohen nga kozmonauti Anton Shkaplerov dhe të tre do jenë pjesë e ekipit që do të shkruajë historinë duke qëndruar 12 ditë në hapësirë për xhirimin e filmit “Sfida”. Filmi bën fjalë për një mjek që përpiqet të shpëtojë një kozmonaut.

Regjisori Chipenko tha për mediat se filmi i parë do të jetë eksperimental. Në këtë pikë ai nënkuptoi faktin se për të xhiruar do të duhet të jetë vetë operator duke marrë përsipër edhe rolin e përgjegjësit të make-up-it për aktoren Peresild.

“S’kam kujt t’i kërkoj këshilla, s’do kem as kameraman dhe do kem shumë vështirësi për të manovruar me dritën,” – tha Chipenko.

Përveç regjistrimeve sporadike në hapësirë, apo pamjeve të ecjes së parë mbi sipërfaqen e Hënës në vitin 1969, asnjëherë nuk është xhiruar një film larg Tokës.

Xhirimi i një filmi po shihet në Rusi si një tjetër hap përpara në garën me SHBA për sa i përket kozmonautikës. Në muajin prill, me rastin e 60 vjetorit të daljes në hapësirë të Yuri Gagarin, Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do të mbetet gjithmonë super-fuqi hapësinore.

Vitet e fundit në SHBA ka pasur hapa përpara për sa i përket turizmit hapësinor me kompani si ato të Jeff Bezos dhe Richard Branson, të cilët po synojnë t’u mundësojnë njerëzve emocionet e një udhëtimi hapësinor.