Në qendrën shëndetësore të Laprakës ofrohet shërbim 24 orësh për urgjencat pediatrike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale inspektoi në brendësi të qëndrës teksa iu bëri apel prindërve  të drejtohen në qendrat shëndetësore për urgjencat që mund të kenë në këtë situatë pandemie me fëmijët e tyre.

Ogerta Manastirliu:

“Qendra e Laprakës është një prej qendrave shëndetësore që ka ofruar më shumë shërbime pediatrike gjatë këtyre muajve. Qëllimi është të ndërgjegjësohen prindërit për rëndësinë që ka marja e shërbimit pranë qendrave shëndetësore, sidomos në këtë periudhë të qarkullimit të virozave dhe rritjes së qarkullimit të variantit Omicron, ku urgjenca pediatrike përballet me fluks të shtuar”, theksoi Manastirliu.

Manastirliu tha se në këtë mënyrë ulet ndjeshëm edhe fluksi i vizitave në urgjencën pediatrike në QSUT.

“Në Spitalin Pediatrik, tashmë edhe me kushtet më të mira, kemi garantuar rritjen e kapaciteteve, por duke bërë një vlerësim nga mjekët dhe strukturat tona, vlerësojmë se, nëse prindërit sjellin fëmijët pranë qendrave shëndetësore, reduktohet në Urgjencën Pediatrike QSUT rreth 30% e fluksit që vijnë për gjendje që mund të zgjidhen fare mirë në qendrat shëndetësore”, tha Manastirliu.

Ministrja vuri theksin tek rëndësia e mjekut në situatën e pandemisë së Covid dhe qarkullimit të virozave:

“Të gjithë qytetarët duhet të drejtohen tek mjeku i familjes për të ditur se çfarë duhet të përdorin, edhe kur kanë simptoma, të trajtohen për simptoma të COVID-19 apo për virozat”, tha Manastirliu.

Qendrat shëndetësore që ofrojnë shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike:

-Qendra shëndetësore nr. 6 në Kombinat.

-Qendra shëndetësore nr. 7 në Laprakë.

-Qendra shëndetësore nr. 8 pranë sheshit Wilson.

-Qendra shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut.