Drejtori ekzekutiv në Televizionin Klan, Armand Shkullaku zbuloi nga studio e “Rudina”, programet e reja që pritet të nisin së shpejti.

Shkullaku tha se së shpejti në ekranin e Tv Klan do të nisë një emision me personazhe të njohur, të cilët kanë kryer operacione plastike. “Virtuozët”, do të jetë një tjetër program që ka për synim përzgjedhjen e talenteve të reja, prezantuese e të cilit do të jetë sopranoja e madhe Inva Mula.

 

“Klani është një televizion që festoi 20 vjet, ka krijuar portret. Klan ka portretin e tij dhe ka një peshë shumë të madhe jo vetëm nga rëndësia mediatike apo politike, por është një industri e madhe. Dhe ideja është që të bëhen apo të gjejmë ato programe që mungojnë, apo të bëhen më mirë ato që janë. Klan është i vetmi televizion që është themeluar nga gazetarë. Ajo që prej një dekade është në Klan është edhe pjesa argëtuese e spektakleve dhe muzikës, të cilën unë për hir të së vërtetës nuk e njoh mirë, sepse edhe në Klan Kosova nuk kam pasur të tilla”.

“Një hapësirë që hyn tek projektet e ardhshme është sërish te pjesa e paradites dhe të heqim ritransmetimet. Kanë nisur xhirimet për një emision, i cili besoj do të jetë të dielën paradite që ka të bëjë me një fenomen për ndërhyrjet plastike, do të jetë një emision fundjave, ku personazhe të ndryshëm tregojnë historitë e tyre dhe vitin tjetër do jetë gati”.

“Virtuozët” po ashtu do të jetë një program që pritet të nisë. Inva Mula do të jetë prezantuese dhe ka disa muaj që po merret me përzgjedhjen e talenteve. Po ashtu është në planet e afërta një tjetër program “Ferma”, ku një numër personazhesh të njohur jetojnë për një periudhë të caktuar në një fermë, por është ende në fazë bisedimesh”, tha Shkullaku. /tvklan.al