Australia nuk do të presë turistë, së paku deri në vitin 2022. Shkak për këtë janë bërë politikat kundër përhapjes së infeksionit COVID-19.

Kryeministri Scott Morrison tha të martën se pavarësisht kësaj mase, autoritetet do t’u lehtësojnë procedurat për të hyrë në vend studentëve dhe emigrantëve të aftë për punë.

Australia ka prej vitit 2020 masa të rrepta kufizuese për udhëtimet. Vendi ka qenë herë pas here nën kufizim edhe të lëvizjeve. Morrison u shpreh se pas arritjes së kuotës prej 80% të popullsisë së vaksinuar, atëherë do të mund të lejohet udhëtimi i australianëve jashtë vendit për arsye turistike.

Një gjë e tillë pritet të lejohet në muajin nëntor. Për sa i përket turistëve që vijnë, nuk parashikohet një plan konkret për këtë gjë, së paku deri në fund të këtij viti.

Australia shënoi këtë vit periudhën me më pak turistë dhe emigrantë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Turizmi është një nga sektorët me më shumë të ardhura ku sipas Këshillit Australian të Turizmit qarkullohen deri në 33 miliardë dollarë. Autoritetet parashikojnë që rikthimi i vizitorëve të huaj të vijojë pas muajit mars.