Këngëtarja me origjinë shqiptare Ava Max po arrin sukses të jashtëzakonshëm në tregun muzikor ndërkombëtar. Ajo për të tretën javë rradhazi qëndron në krye të tabelave në Britani me “Sweet But Psycho”.

Gjithashtu ajo është në krye të listave në më shumë se 10 vende në të gjithë botën, përfshirë Gjermaninë, Zelandën e Re dhe Suedinë.

“Për mua është e pabesueshme. Është emocionuese por dua të arrij më shumë. Dua të publikoj këngë të reja dhe të sjell një album,”-tha ajo në një intervistë për mediat angleze.

Por nuk ka qenë e lehtë, 24-vjeçarja ka rrëfyer vështirësitë drejt rrugës së sukesit.

“Jam përpjekur gjithë jetën. Isha 14 vjeçe kur shkova në Kaliforni me nënën time për muzikën. Pastaj nëna shiti shtëpinë dhe erdhëm në Los Angeles. Por u zhgënjyem, nuk ishte ashtu siç e prisnim. kur isha 15 vjeç, u kthyem në bregun lindor. Kam jetuar aty për dy vite, në Karolinën e Jugut, para se të largohesha kur isha 17 vjeç me vëllanë tim. Kjo vetëm për muzikën. Pastaj më në fund takova njerëzit e duhur pas disa vitesh vështirësi.”

Ava Max u takua me producentin kanadez Cirkut, që ka punuar me ikonat e muzikës moderne si Rihanna, The Weeknd, Katy Perry dhe Jessie J, dhe shumë të tjerë.

Ai më mori dhe filluam të shkruajmë e regjistrojmë këngë së bashku dhe publikuam një në platformën audio SoundCloud,”-rrëfeu ajo.

E lindur në SHBA me prindër shqiptar, Amanda Koci, tregoi se si familja e saj u largua nga Shqipëria për një jetë më të mirë.

“Në vitet 1990 dhe 1991, ata u larguan nga Shqipëria dhe shkuan në Paris. Prindërit e mi jetuan në një kishë për një vit të tërë, ishte shumë e vështirë për ta. Më pas u zhvendosën në Wisconsin, aty ku unë kam lindur. Ata shkuan në Amerikë me duar bosh, pa para, nuk dinin gjuhën, ishte shumë e vështirë për ta. Punonin tri punë secili,”-tha këngëtarja.

Pavarësisht se lindi në Amerikë, 24-vjeçarja shprehet krenare për origjinën e saj dhe se ndihet 100% shqiptare.

“Jam 100% shqiptare. Do të kthehem në Shqipëri sapo të mundem. Do ishte mahnitëse të bëja një koncert bamirësie atje.”