Një kampion i ri po lind në ringun shqiptar. Ferit Keta konfirmohet si një nga boksierët më të mirë të momentit pasi ka fituar një tjetër duel. Përballë polakut Lukasz Zygmunt ai u tregua i pamëshirshëm duke e shtrirë në ring që në raundin e parë. Një sukses i merituar për Ketën që arriti të tregonte forcën e tij përballë një kundërshtari më të gjatë.

Kjo fitore pason atë të arritur ndaj boshnjalut Drazan Janjanin. Ishte vendimi unanim i jurisë që shpalli fitues kampionin kuqezi, i cili dha një sinjal të fortë pasi Janjanin ishte boksieri që ka një karrierë shumë të pasur me sfida të rëndësishme si ajo ndaj Alexander Dimitrenko por edhe ndaj disa rivalëve prestigjozë në arenën ndërkombëtare.

Trajneri i tij, ish kampioni shqiptar i kikboksit, Ismail Keta konfirmon se fitorja e fundit e Feritit ka rritur interesimin për një sfidë më të rëndësishme pasi janë tre federata që kanë shfaqur interes për një duel me peshë. Aktualisht, stafi i boksierit shqiptar nuk ka marrë asnjë vendim për gjerdanin që do të kërkojë Feriti në sfidën e radhës.

Në karrierën e tij si profesionist, Ferit Keta numëron 8 përballje me asnjë humbje ku 5 prej tyre i ka arritur me nokdaun. Ai garon për peshën Cruiserweight.