Filmi Borëbardha dhe Shtatë xhuxhat është filmi i parë vizatimor me ngjyra i prodhuar nga Walt Disney. U projektua në kinemanë e Los Angeles  për herë të parë në 21 dhjetor të vitit 1937 dhe më pas në vitin 1938 në të gjithë botën, duke arkëtuar vetëm ditën e parë 8 milion $,  Ende sot është një ndër filmat e animuar më të suksesshëm të historisë amerikane.
Borëbardha, princesha bukuroshe me lëkurën si bora, buzët e kuqe dhe flokët e zinj, e pafajshme, e pastër, e thjeshtë, shumë ndryshe nga heroinat e sotme të përrallave, vijon të adhurohet në mënyrë universale në mbarë planetin prej brezash.

Walt Disney guxoi shumë duke marrë përsipër të realizonte metrazh të gjatë të animuar të strukturuar si një film. Shpenzoi 1.5 milion $ për realizimin e tij, shifër astronomike për kohën,  dhe krijimi rezultoi të ishte një mrekulli artistike në vitet më të errëta të SHBA që dilnin nga depresioni i madh.

U deshën 3 vjet punë, 32 animatore, 102 asistentë, 20 skenografë, 25 ekspertë të akuarelit, 65 animatorë dhe 158 piktore. U realizuan 2 milion ilustrime duke përdorur 1500 tonalitete ngjyrash. Përralla e bukur e vëllezërve Grimm mori jetë falë vendosmërisë së Walt Disney, i cili që këtu nisi ngritjen e një perandorie për të argëtuar fëmijë e të mëdhenj në mbarë botën.

Burimi/ Klan Plus