Briken Çalja ka marrë medaljen e artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Rumani, për peshën deri në 69 kg. Peshëngritësi nga Shtërmeni i Cërrikut arriti të ngrejë 146 kg në stilin e shkëputjes dhe 175 kg në atë të shtytjes, ndërsa në total 321 kg.

Në stilin e shtytjes, Çalja ngriti 171 kg në provën e parë, duke siguruar automatikisht medaljen e artë edhe në dygarësh. Në provën e dytë Çalja dështoi të ngrejë 175 kg, ndërsa në provën e 3-të ia doli me sukses të ngrejë shtangën dhe të kompletojë dominimin e tij në këtë kategori.

Peshëngritësi tjetër shqiptar që mori pjesë, Arbër Çerçizi u rendit i 7-i në stilin e shkëputjes, pasi ngriti 135 kg në provën e parë dhe dështoi në dy të tjerat me 141 dhe 142 kg. Në shtytje, Çerçizi ngriti 156 kg në provën e parë, ndërtsa u dëmtua në tentativën për të ngritur 161 kg në të dytën.