Britania njoftoi sot se ka miratuar përdorimin e ilaçit të parë kundër COVID-19. Ky ilaç është pritur me entuziazëm nga ekspertët teksa përshkruhet si “armë e re” kundër pandemisë.

Autoritetet thanë se i kanë dhënë dritën jeshile përdorimit të ilaçit molnupiravir (që zhvillohet nga kompania Merck), një anti-viral ky që ka ekspertët thonë se jep rezultate në trajtimin e personave me simptoma të lehta apo të rënda të koronavirusit.

Miratimi është bërë vetëm për kategorinë e personave në moshë madhore, të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera, si sëmundjet kardiovaskulare. Kompania Merck thotë se ilaçi molnupiravir përgjysmon rrezikun e vdekjes nga COVID-19.

Ilaçi parashikohet të merret dy herë në ditë për pesë ditë me radhë pas shfaqjes së simptomave të para.

Molnupiravir është konceptuar fillimisht si ilaç kundër gripit, por pas shfaqjes së pandemisë shkencëtarët e rishikuan formulën e tij.

Ilaçi prek enzimat me të cilat virusi korona shumëfishohet. Ai injekton në to kode gjenetike, të cilat ngadalësojnë shumëfishimin dhe shpërhapjen e virusit në trup. Në këtë mënyrë sistemi i imunitetit mund ta përballojë më lehtë virusin.

Kompania Merck ka treguar se mund të prodhojë deri 10 milionë tableta trajtimi deri në fund të këtij viti. Por shumica e kësaj sasie është parablerë nga qeveri të ndryshme nëpër botë. Kjo shihet si një nga pengesat kryesore për përhapjen e gjerë të këtij preparati.