Në praninë e 65 mijë tifozëve që kishin ngjyrosur zikaltër shkallët e stadiumit “Giuseppe Meazza”, mori udhë edhe zyrtarisht sezoni i ri i Interit, që ndeshjen e parë të kampionatit e shndërroi në festë, falë fitores 4-0 përballë Lecces.

Ashtu siç pritej, Antonio Conte nuk grumbulloi Mauro Icardin dhe aktivizoi nga minuta e parë dy nga blerjet e verës si Lukaku dhe Sensi, ndërsa në qendër të mbrojtjes pati vend edhe për Andrea Ranocchian, pasi De Vrij pësoi një lëndim gjatë nxehjes para ndeshjes.

Ndeshja nuk nisi fort mirë për zikaltrit, që dukeshin të emocionuar para publikut të shumtë, ndërsa nga ana tjetër Lecce ishte e vendosur mirë në fushë dhe bënte presion lart, duke arritur të ndërtojë edhe disa aksione të parrezikshme.

Shkëndijën e parë e dhe Lautaro Martinez, që pas një krosimi të Candrevës nga krahu, kërceu fort dhe gjuajti me kokë, por ndonëse portieri Gabriel ishte i mposhtur, topi u përplas në tokë dhe përfundoi mbi kuadratin e portës së Lecces.

Zikaltrit shtuan presionin dhe në minutën e 21-të erdhi goli i shumëpritur. Pas një aksioni të gjatë ku morën pjesë disa futbollistë, Kwadwo Asamoah shërbeu për kroatin mbi vijën e 16-shes, i cili më pas “pikturoi” një gol spektakolar, me një gjuajtje plot klas, që çoi topin në trekëndëshin e portës së Lecces.

Vetëm 3 minuta më vonë ishte mesfushori tjetër, befasia e merkatos së Interit, Stefano Sensi, që pasi bëri gjithçka mirë duke kaluar dy futbollistë vendas, gjuajti bukur me të djathtën dhe mposhti për herë të dytë portierin Gabriel.

Me avantazhin e dy golave përfundoi edhe pjesa e parë, ndërsa në minutën e 60’ skenën e mori sulmuesi gjigant belg, Romelu Lukaku, që pas një grushtimi të Gabriel, dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë, duke ngritur në peshë publikun zikaltër.

Belgu bëri një ndeshje mjaft të mirë, duke entuziazmuar tifozët me disa kalime interesante, ndërsa në shumë raste shërbeu edhe për shokët e skuadrës, por goli ishte “qershia mbi tortë” e një paraqitjeje që bëri të harrohej një goleador si Icardi.

Më pas Conte rezervoi më tepër se 35 minuta edhe për blerjen tjetër të kësaj vere, Nicolo Barellan, i cili në një vrapim me topin në mesfushë detyroi Diego Farias t’i bëjë një faull nga mbrapa, ndërsa arbitri kryesor nxori me karton të kuq fantazistin e Lecces.

Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi, ishte Mateo Politano që dërgoi topin në rrjetë, por goli i tij u anulua, pasi Lukaku i prishi pamjen portierit, ndërkohë që ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje.

Megjithatë goli i katërt ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 84-t, por as vetë autori i tij, Antonio Candreva nuk e kishte menduar se do të ishte aq spektakolar.

Anësori italian u shërbye nga Barella në një distancë të konsiderueshme me portën dhe zbarkoi menjëherë të djathtën e tij, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së Gabriel, ndërsa më pas festa ishte e ligjshme poshtë tribunës së ultrasve.

Kaq mjaftoi që gjyqtari i takimit të mos akordonte asnjë minutë shtesë, por të vërshëllente për të mbyllur ndeshjen dhe për të lejuar zikaltrit të festojnë për një start dinjitoz në sfidën e parë zyrtare për sezonin 2019-2020.

Burimi: SuperSport