Nga ajri, toka dhe deti, Rusia ka nisur një sulm shkatërrues ndaj Ukrainës, vendit me 44 milionë banorë. Forcat e saj po bombardojnë qendrat e qyteteve dhe synojnë të pushtojnë edhe kryeqytetin Kiev, duke shkaktuar kështu një eksod masiv refugjatësh. Për muaj të tërë, presidenti Vladimir Putin, 69 vjeç mohoi se do të pushtonte fqinjin e tij, por më pas ai prishi marrëveshjen e paqes dhe nisi atë që Gjermania e quan “lufta e Putinit”, duke dërguar forcat në veri, lindje dhe jug të Ukrainës.

Ndërsa numri i të vdekurve rritet, lideri rus akuzohet për prishjen e paqes në Evropë. Ajo që ndodh më pas mund të rrezikojë të gjithë strukturën e sigurisë së kontinentit. 2 mijë persona, civilë ukrainas kanë ndërruar jetë si pasojë e sulmeve të Rusisë.

Pyetja që lind është: Çfarë do Vladimir Putin? BBC liston disa të dhëna:

Ai jo vetëm që ka kërkuar që Ukraina të mos bashkohet kurrë me NATO-n, por që aleanca të kthejë kohën pas në vitin 1997 dhe të ndryshojë zgjerimin e saj drejt lindjes. Ai është ankuar se Rusia “nuk ka ku të tërhiqet më tej – a mendojnë ata se ne thjesht do të rrimë duarkryq?”.

Ai dëshiron që NATO të largojë forcat dhe infrastrukturën e saj ushtarake nga vendet anëtare që iu bashkuan aleancës që nga viti 1997 dhe të mos vendosë “armë goditëse pranë kufijve të Rusisë”. Këtu përfshihet Evropa Qendrore, Evropa Lindore dhe Baltiku.

Por kjo shkon përtej NATO-s. Sipas fjalëve të kancelarit gjerman, lideri rus “dëshiron të marrë Evropën dhe ta transformojë atë sipas pikëpamjes së tij botërore”.

Vitin e kaluar, Presidenti Putin shkroi një artikull të gjatë duke përshkruar rusët dhe ukrainasit si “një komb” dhe ai e ka përshkruar rënien e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991 si “shpërbërje të Rusisë historike”.

Ai ka thënë se Ukraina moderne është krijuar tërësisht nga Rusia komuniste dhe tani është një shtet kukull, i kontrolluar nga Perëndimi. Ishte presioni i tij ndaj Ukrainës për të mos nënshkruar një traktat asociimi me BE-në në vitin 2013 që ndezi protestat që rrëzuan presidentin pro-Kremlinit.

Në sytë e Presidentit Putin, Perëndimi premtoi në vitin 1990 se NATO do të zgjerohej me “asnjë centimetër në lindje”, por gjithsesi e bëri këtë.

Megjithatë, kjo ishte përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, kështu që premtimi i bërë presidentit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev i referohej vetëm Gjermanisë Lindore në kontekstin e një Gjermanie të ribashkuar. Gorbachev tha më vonë “tema e zgjerimit të NATO-s nuk u diskutua kurrë” në atë kohë.

NATO është një aleancë mbrojtëse me një politikë të dyerve të hapura për anëtarët e rinj dhe 30 shtetet e saj anëtare janë të bindur se nuk do të ndryshojë.

Presidenti i Ukrainës dëshiron një afat kohor të qartë, por nuk ka asnjë perspektivë për anëtarësimin e Ukrainës për një kohë të gjatë, siç e ka bërë të qartë kancelari gjerman.

A ka rrugëdalje diplomatike?

Duket se ka shumë pak shanse për momentin, edhe nëse të dyja palët zhvillojnë bisedime në kufirin me Bjellorusinë. Rusia këmbëngul që Kievi të lëshojë armët dhe të çmilitarizohet dhe kjo nuk do të ndodhë. Përtej luftës, çdo marrëveshje eventuale do të duhej të mbulonte statusin e Ukrainës lindore, si dhe kontrollin e armëve me Perëndimin.

SHBA ofroi fillimin e bisedimeve për kufizimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe për një traktat të ri për raketat ndërkontinentale. Rusia do që të gjitha armët bërthamore amerikane të ndalohen përtej territoreve të saj kombëtare.

Për familjet e të dyja forcave të armatosura këto janë ditë ankthi. Ukrainasit kanë vuajtur tashmë një luftë rraskapitëse tetë-vjeçare me rusët. Ushtria ka thirrur të gjithë djemtë e moshës 18 vjeç dhe burrat deri në 60 vjeç.

Kjo nuk është një luftë për të cilën popullsia e Rusisë ishte e përgatitur gjithashtu, pasi pushtimi u vendos nga një dhomë e lartë e parlamentit kryesisht jo-përfaqësues. Mijëra protestues rusë kundër luftës janë arrestuar, lideri kryesor i opozitës ndodhet ende pas hekurave.