Moti po dëshmon nga dita në ditë efektet dramatike të ngrohjes globale. Në Sahara shkretëtira është mbuluar nga bora, ndërsa në Romë temperaturat janë të denja për në verë. Ndërsa Kalifornia, nga vapa përcëlluese dhe zjarret shkatërrimtare, ka përfunduar në alarmin e përmbytjeve.

Saharaja

Skenar i pabesueshëm i natyrës në Saharane Algjeriane, shkretëtira më e nxehtë në botë. Flokët e dëborës kanë mbuluar dunat e rërës, pas një vale ngricash që kanë përfshire veriun e Algjerisë. Në 40 vitet e fundit kjo është hera e dytë që shkretëtira e Saharasë zbardhet nga dëbora, qoftë edhe për pak orë.

Madagaskari

Cikloni Ava ka përfshirë ishullin e Madagaskarit. Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, 29 persona kanë humbur jetën, 22 konsiderohen të zhdukur, 17 mijë janë evakuuar ndërsa 83 mijë të tjerë kanë pësuar dëme të rënda në banesat dhe pronat e tyre.

California

Pas një stine përvëluese, që dogji mijëra hektarë pyje e mijëra shtëpi e biznese, Kalifornia i drejtohet një tjetër fatkeqësie. Kësaj herë jo më nga zjarret, por nga shirat e rrëmbyeshëm që priten në orët në vijim. 21 mijë persona janë detyruar të braktisin banesat e tyre pasi rreziku sipas autoriteteve është i madh.

Australia

Pas të nxehtit rekord me temperatura që kaluan 47 gradë Celcius,  Australia përshihet nga stuhitë dhe shirat. Ndërsa Sydney nga stuhitë e rrufeve. Gjatë mbrëmjes së kaluar në qytet janë numëruar rreth 5000 rrufe, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, probleme me hekurudhat e transportet.

Roma

Janari i çuditshëm edhe në Romë e Palermo të Italisë. Gjatë orëve të fundit temperaturat e regjistruara kanë prekur 19.6 grade në kryeqytet dhe 24.1 gradë Celcius në Palermo të Sicilisë. Këto janë temperaturat më të larta të regjistruara gjatë 40 vitet e fundit për stinën. Ndërsa veriu i Italisë po përballet me shira dhe reshje të dendura dëbore.

Burimi / Klan Plus