Një Skënderbe me mungesa por që nuk heq dorë nga ëndrra. Si rrallëherë përpara një sfide të tilla përmasave siç është takimi i dytë në grupin B të Europa League  ndaj Young Boys trajneri Ilir Daja bëri publik formacionin që do të zbresë në fushë, por në të njëjtën kohë pavarësisht mungesave të emrave me peshë si Osmani apo Radas, trajneri i korçarëve theksoi se Skënderbeu nëpërmjet një loje të mirë do të kërkojë të marrë një rezultat pozitiv përballë ekipit zviceran, pra do të tentojë fitoren.

” Do ta bëjmë rotacion sepse me kemi shumë mungesa dhe objektivi ynë primar është kampionati. Gjithsesi do të përpiqemi të japim maksimumin dhe pavarësisht vështirësive që kemi do të hymë në fushë për të dhënë më të mirën tonë për të marrë një rezultat pozitiv.” E kemi ndjekur kundërshtarin. Është një ekip që ndryshon edhe brenda një ndeshjeje modulin e lojës. Young Boys ka shumë ekulibër, janë të fortë në dyluftimet një për një dhe kanë lojtarë shumë teknikë. Energjitë janë të bazuara të gjitha te takimi me Young Boys. Rezultatin pozitiv do ta kërkojmë nëpërmjet një loje të mirë, duhet të bëjmë një paraqite sa më pozitive për të ecur përpara”.

Skënderbeu e ka realizuar objektivin që ishte pjesëmarrja në fazën e grupeve të Europa League, por trajneri Daja beson te mrekullia dhe ëndërron vendin e dytë që do ti kualifikonte bardhekuqtë në ruandin tjetër.

” Kemi pretendimet tona sepse nëse duam të bëjmë një hap tjetër duhet të shpresojmë që më pas të realizosh këtë lloj ëndrre. Por për të qenë me këmbë në tokë, Skënderbeu e ka realizuar objektivin e vetë, por pritshmëritë vinë duke e rritur dhe ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sa më larg. Young Boys ngjason më shumë me Mladën për nga karakteristikat”.

Nga Young Boys te Kukësi në pak ditë Skënderbeu luan dy sfida shumë të rëndësishme për ecurinë e sezonit dhe trajneri Daja kërkon ti fitojë të dyja.

” Unë do të preferoja të fitonim ndaj Young Boys dhe të Hënën të triumfojmë edhe ndaj Kukësit, por bëhet fjalë dy kompeticone të ndryshme dhe ne dëshirojmë të japim më të mirën në çdo kompeticion”.

Bashkë me trajnerin në konferencën për shtyp ishte edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli i cili nënvizoi se edhe një barazim do të ishte një rezultat i mirë për Skënderbeun përballë Young Boys, ndërsa ashtu si Daja, edhe 32-vjeçari beson te kualifikimi.

” Në Kiev kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë. Mendoj që kemi forcën si skuadër për të arritur diçka më shumë se pjesëmarrja në grupe. Kemi përballë skuadra shumë të forta por për Skënderbeun asgjë nuk është e pamundur. Shpresoj që ndaj Young Boys të mos kemi të njëjtin fat, edhe barazimi do të ishte një rezultat i mirë për ne”.

Edhe pse fitimi i titullit kampion mbetet prioriteti i korçarëve sipas Vangjelit Skënderbeun nuk mendon për Kukësit por është i përqëndruar vetëm te Young Boys.

” Të gjitha forcat tona duhet t’i përqëndrojmë te Young Boys nuk duhet të mendojmë për sfidën e të Hënës ndaj Kukësit sepse për ne, për momentin më e rëndësishme është sfida ndaj Young Boys. Kundërshtarin e kemi ndjekur dhe bëhet fjalë për një ekip që duhet vlerësuar në maksimum por asnjëherë nuk duhet ti kemi frikë”.

Stërvitjen e fundit përpara ndeshjes Skënderbeu e zhvilloi nën reshjet e shiut. Pikërisht i lagësht dhe me shi parashikohet të jetë moti edhe mbrëmjen e kësaj të Enjtjeje kur dy skuadrat të zbresin në fushë. Një ditë përpara ndeshjes sipas asaj që ka mësuar Sport News ishin shitur 2981 bileta, por deri në momentin që do të fillojë sfida do të shiten edhe shumë të tjera dhe në stadium priten të jenë rreth 5000 deri në 6000 tifozë, pra diçka më pak se gjysma e kapacitet të plotë të stadiumit Elbasan, një numër jo i madh por i konsiderueshëm për një duel të këtij niveli.