Qeveria daneze ka bërë planet për të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë.

Qelitë do i përdorë për të akomoduar të burgosurit në fund të dënimit të tyre. Njoftimi është bërë nga Ministria Daneze e Drejtësisë.

Plani i prezantuar sot vjen si përpjekje për të ulur mbipopullimin e burgjeve. Gjithashtu planifikohet të rritet kapaciteti i sistemit danez të burgjeve me 326 vende mes 2022-shit dhe 2025-ës.

Popullsia e burgjeve të Danimarkës është rritur me 19% në më shumë se 4,000 të burgosur deri në fillim të vitit 2021. Sipas statistikave burgjet daneze janë tani në më shumë se 100% të kapacitetit të tyre.

Ministri i Drejtësisë Nick Haekkerup ka thënë për mediat: “Sipas marrëveshjes është rënë dakord që të merren me qira 300 qeli burgjesh në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë me disa qindra vende”. Ndërkaq nga Kosova ende nuk ka një reagim zyrtar, mbi kostot që duhet të paguhen nga pala daneze.

Danimarka njihet për burgjet e saj të hapura që janë të rezervuara për të burgosurit që vuajnë dënime më pak se pesë vjet.

Ndërkohë Kosova ka aktualisht 1,642 të burgosur me një kapacitet prej 97%-sipas një raporti.

Norvegjia dhe Belgjika kanë marrë më parë qeli burgu në Holandë me qira.