Ndeshja do të transmetohet ekskluzivisht nga TiBO IPTV në kanalin SuperSport SS3, më 24 Mars, në orën 20:45.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, ka mbajtur konferencën e parë për media para ndeshjes kundër Islandës, që zhvillohet më 24 mars, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”. Me këtë rast Bunjaki publikoi listën prej 23 futbollistëve, të cilët do t’i ketë në dispozicion për këtë ndeshje.

Ndërkohë, përzgjedhësi Bunjaki duke folur për sfidën e së premtës kundër Islandës, theksoi se për këtë ndeshje ka në dispozicion disa futbollistë për herë të parë, siç janë Besart Berisha, Donis Avdijaj dhe Atdhe Nuhiu. Më tej ai ka thënë se tashmë ka ardhur koha për fitore dhe në këtë ndeshje Kosova do të hyjë për t’ia arritur këtij qëllimi.

“Kjo është ndeshja jonë e pestë. Faktikisht kemi filluar gradualisht të krijojmë një eksperiencë prej vitit 2008-2009 kur kemi filluar rrugën tonë me ndeshje miqësore. Kemi pasur një seleksionim të madh prej 300 lojtarëve dhe prej tyre kemi krijuar një bazë prej 15 lojtarëve të cilët na u kanë bashkangjitur në shtator, ndërsa prej shtatorit deri më sot kemi arritur t’i afrojmë edhe 18 lojtarë të rinj. Është krijuar një grup i lojtarëve, me një moshë mesatare 22-23 vjeç që është një ndër kombëtaret më të reja në botë”

Megjithatë, Bunjaki është i vetëdijshëm për forcën që ka kundërshtari dhe faktin që bëhet fjalë për një përfaqësuese e cila në Evropianin e fundit arriti deri në çerekfinale. “Islanda është shembulli më i mirë për përfaqësueset që janë në zhvillim, siç është rasti ynë. Pra, edhe vendet e vogla me një organizim të mirë mund të arrijnë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme”, ka thënë Bunjaki.

Tutje përzgjedhësi ka theksuar se së bashku me shtabin teknik e kanë analizuar lojën e kundërshtarit dhe e kanë parasysh se bëhet fjalë për një skuadër që ka përparësi në shtat lartësi të lojtarëve dhe që lojën e bazon në aspektin fizik. “Ne në këtë ndeshje duhet t’i shfrytëzojmë rastet që krijojmë, pasi në ndeshjet e kaluara kemi krijuar shumë raste por nuk kemi arritur t’i finalizojmë. Në këtë ndeshje mund të mos kemi aq shumë raste, por ato që i kemi duhet t’i shfrytëzojmë. Shpresoj që kësaj radhe do të kemi edhe fat në finalizim të aksioneve. Islanda është një ekip mjaft kompakt që sjell telashe tek kundërshtarët, mirëpo ne jemi përgatitur, kemi bërë gjitha analizat, kemi marrë informatat si për lojtarë tonë ashtu edhe për Islandën”, ka shtuar Bunjaki.