Jemi njohur me deklaratën e ditës së hënë, datë 11 tetor, dhënë për Top-Channel – gjatë edicionit të lajmeve të orës 19:30, – nga drejtori i DigitAlb, Eglinor Ramaj, në lidhje me pretendimet e tij kinse “TiBO po piraton kanalet e DigitAlb” dhe se për këtë “është gjobitur”.

Të gjendur përballë këtij pretendimi dashakeq, dhe detyrimit që kemi ndaj audiencës sonë besnike, informojmë se çështja në fjalë qëndron krejt ndryshe.

Për transparencë të opinionit publik sqarojmë se DigitAlb, që gjendet në një situatë të paqëndrueshme financiare, ka nisur prej muajsh të sulmojë publikisht shoqërinë TiBO me pretendime të stisura, kjo për të zhvendosur vëmendjen nga menaxhimi i dobët që po u sjell atyre falimentin.

Çfarë po ndodh?

Duke konsideruar precedentët e kaluar kur DigitAlb ka dëshmuar të jetë një partner jo i besueshëm dhe jo korrekt me abonentët, TiBO nënshkroi një marrëveshje jo vetëm afatgjatë, por edhe me garanci për abonentët e saj. Një kontratë bashkëpunimi 10-vjeçare 2019-2029.

Por DigitAlb e ka shkelur atë duke e ndërprerë pa shkak, në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme. Për prishjen e kontratës jashtë çdo logjike biznesi TiBO e ka paditur DigitAlbin dhe çështja aktualisht është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës. Kompania jonë ka kërkuar:

  • Ndalim të ndërprerjes së sinjalit sipas objektit të kontratës.
  • Pagesë të penalitetit për prishjen e njëanshme të kontratës.

TiBO ka besim se çështja do të marrë zgjidhje në rrugë ligjore.

Si qëndron çështja?

TiBO ka parapaguar detyrimet kontraktuale – deri në gjashtëmujorin e vitit 2022, – që i takonin nga kontrata dhjetëvjeçare e bashkëpunimit me DigitAlb. Kontrata i jepte TiBO-s ekskluzivitetin e transmetimit të përmbajtjeve të DigitAlb në platformën OTT.

Gjoba e pretenduar:

Pavarësisht presionit mediatik dhe manipulimit të fakteve nga DigitAlb, nuk ka asnjë masë ndëshkimore ekzekutive ndaj TiBO-s. Kjo sepse TiBO është përgjigjur me fakte reale, të provuara.

Përveç kësaj, ligji (Neni 36; K.Pr. Civile) parashikon që asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje që është duke u gjykuar në gjykatë.

Pse këto stisje ndaj TiBO?

DigitAlb ngre pretendime të stisura për “vjedhje të buxhetit të shtetit” apo “konsumatorit” për të mbuluar mungesën totale të përgjegjësive kontraktuale me bashkëpunëtorët që i lë në baltë. Nuk është hera e parë që kjo kompani ndërpret në mënyrë të njëanshme kontratat duke tradhtuar audiencën apo besueshmërinë e krijuar në treg ndaj markës.

Me këtë qasje, ndër vite DigitAlb, ka humbur të drejtat për transmetimet e eventeve të shumë-kërkuara nga shqiptarët si Champions-League, Premier-League, La Liga, dhe së fundmi Serie-A-në.

Ngjashëm ishte dhe çështja me TV Klan, FSHF apo transmetues të tjerë dhe në të gjitha këto raste ata që janë lënë në baltë nga DigitAlb kanë qenë abonentët.

Pse audienca duhet të zgjedhë TiBO-n?

TiBO mbetet i përkushtuar, si në fillim, për t’i sjellë shqiptarëve prodhimet mediatike përmes qasjes më në pararojë të teknologjisë. Sikurse edhe ish-bashkëpunëtori ynë DigitAlb e vlerëson në kronikën e Top-Channel, TiBO është një nga kompanitë që ka sjellë risi në mënyrën e transmetimeve dhe do të vijojë me të njëjtin përkushtim të ofrojë besueshmëri për ofertat dhe përmbajtjen e saj.

Përgjigja e TiBO-s në lidhje me kronikën e dhënë nga Top-Channel, dhe deklaratat e administratorit të radhës së DigitAlb, është detyrim për abonentët dhe partnerët e saj, të cilët kanë të drejtën të dinë të vërtetën.

Na vjen keq për këtë shëmti të servirur nga një media, e cila kërkon ende të na bëjë të besojmë se ka interesa madhore, siç duhet t’i ketë realisht një e tillë. Ne i sigurojmë abonentët tanë, të cilët kanë parapaguar shërbimet e TiBO se do t’i marrin ato deri në fund.

Të zgjedhësh TiBO-n është zgjedhja e duhur!