Shqipëria është gati për ndeshjen me Poloninë, e vlefshme për kualifikueset e botërorit dhe që zhvillohet të martën ora 20:45 në Arenën Kombëtare.

Trajneri Reja deklaroi sot se përfaqësuesja e Shqipërisë do mundohet të fitojë ndaj Polonisë duke diktuar lojën me presing që nga sulmi. Reja u shpreh se polakët nuk kanë vetëm sulmuesin Lewandowski, por edhe lojtarë të tjerë me cilësi gjë që sipas tij kërkon që kundër tyre skuadra të jetë me sa më pak gabime në fushë.

Trajneri italian u ndal të kujtonte edhe pritshmëritë që ishin në fillim për grupin. 76-vjeçari tha se ndryshe nga sa pritej, lojtarët kanë ardhur në rritje duke merituar rezultatet e marra.

“Jemi gati të konkurrojmë me të gjithë kundërshtarët dhe për këtë komplimentoj ekipin tim. Duke qenë se ishte grup i vështirë, në fillim thashë se nuk mund të ikim larg. Gjithsesi e kemi gjithçka me meritë” – tha Reja.

I pyetur për sulmuesin Armando Broja, i aftë për të shënuar golat e dy fitoreve ndaj Hungarisë, Reja tha se ai ka rendiment më të lartë kur hidhet si zëvendësues, por që nuk e kishte vendosur ende.

“Nuk e di se si do të reagojë nëse luan si fillim. E kam menduar ta aktivizoj. Po ta di që shënon e fus tre minutat e fundit me Poloninë dhe i zgjidhëm hallet tona,” – tha trajneri i Shqipërisë.

Shqipëria luan kualifikueset për në botërorin Katar 2022 në Grupin I, që kryesohet nga Anglia me 19 pikë, ndjekur nga kuqezinjtë me 15, Polonia 14, Hungaria 10, Andorra 3 dhe San Marino 0.

Nëse arrihet rezultat pozitiv me Poloninë, Shqipëria ka në dorë kualifikimin për në botëror. Ndeshjet pas polakëve janë kundër Anglisë dhe Andorrës/Oversport.tv