Turqia është vendi në të cilën ndodhet diaspora më e madhe shqiptare. Më shumë se 5 shekuj bashkëjetesë dhe pjesëmarrje në jetën aktive politike, ekonomike dhe shoqërore Osmane ka lënë shenja të pashlyeshme në identitetin shqiptar.

Shqiptarët në Turqi kanë emigruar në të gjitha kohërat, kryesisht duke nisur me shekullin XVI, kohë kur filloi dhe konsolidimi i pushtetit Osman në trevat tona.

Shumica e tyre u shpërngulën në periudhën e Rilindjes Europiane dhe u vendosën në kryeqendrën e kohës, Stamboll, por edhe në disa qytete të zhvilluara tregtare si Izmir apo Bursa.

Shqiptarët, të një besimi me turqit, u inkorporuan shpejt në jetën e vendit duke marrë deri edhe në postet më të lartë ushtarake e politike në jetën e Perandorisë Osmane dhe më vonë shtetit të ri Turk.

Disa personalitet të spikatura, produkt i kulturës dhe shoqërisë osmane janë dinastia e kryeministrave të familjes së Kyprilinjëve, Hoxha Tahsini, dekani i parë dhe themelues i Universitetit të Stambollit, aktualisht një ndër universitetet më të mira në botë, apo edhe figura që i kontribuan ringritjes kombëtare si Pashko Vasa, Vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Imzot Fan Noli etj.

Fillimi i shekullit të XX dhe represioni ushtarako-politik në një Ballkan të rikonfiguruar politikisht, në disfavor të shqiptarëve solli katër vatra të reja emigrimi që për arsye studimore ndahet në katër etapa kryesore:

Etapa e parë lidhet me implementimin e Traktatit të Lozanës në vitin 1923 midis Republikës Turke dhe Greqisë, etapa e dytë ka të bëjë me valën e shpërnguljeve si rezultat i marrëveshjes Attaturk-Stojadinovic në vitin 1938, me Jugosllvinë e Parë, vala e tretë, pas marrëveshjes së fshehtë Tito-Kyprili në vitin 1953. Ndërsa një valë e katërt migruese ndodhi në fillim vitet 70.

Si rezultat i këtyre marrëveshjeve, me qindra mijëra shqiptarë lanë trojet e tyre shekullore dhe u vendosën në Turqi.