Finalja e Champions League për këtë sezon do të luhet në Kiev të Ukrainës, por spektaklit të garantuar në fushën e gjelbërt në përballjen mes dy emrave gjigantë si Reali i Madridit dhe Liverpool, duket se nuk do t’i mungojë diçka shqiptare.

Në fakt, njoftimi zyrtar pritet të bëhet më 8 maj, kur të mësohen të gjitha detajet e ceremonisë hapëse të etapës së fundit të kompeticionit prestigjioz për klube në Europë, edhe pse për shqipfolësit andej e këtej kufirit nuk mbetet asgjë surprizë.

Dua Lipa, këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova do të jetë e ftuara e nderit të kësaj ceremonie, ku pritet të performojë disa nga hitet e saj më të ndjekura në botë.

Ka qenë vet UEFA, që përmes llogarisë zyrtare në Twitter fton ndjekësit të “zbulojnë” enigmën e personazhit të përfshirë në një videoklip të shkurtër, që mban kolonën zanore të hitit “New Rules” të Dua Lipës.

“Një tjetër artist me famë botërore do të zërë vend në skenën e finales prestigjioze të këtij edicionit të Champions League, të prezantuar nga Pepsi. A mund ta gjeni dot?”, shkruhet në statusin e UEFA-s.