Ka pasur shumë spekulime se kush do të jetë artisti që do të realizojë kolonën zanore të filmit të ardhshëm “James Bond”, por me sa duket tashmë është zgjidhur enigma. Do të jetë Dua Lipa. Të paktën kështu deklaroi bateristi i grupit elektropop britanik “Years & Years”.

Gjatë një interviste për “BBC Radio5 Live”, Mikey Goldsworthy aksidentalisht tha se kolona zanore e “Bond 25” po realizohet nga Dua Lipa: “Kishim Judy Dench si M, Ben Whishaw si Q, edhe muzika duhet të ishte e jona. Mendoja se do të na e ofronin neve këtë mundësi, por mendoj se Dua Lipa po e realizon atë”.

Shoku i grupit, Emre Turkmen u mundua ta mbulonte disi gafën e Mikey-t, por prezantuesi nuk e anashkaloi, duke thënë: “Prit pak, se na dhe një ekskluzive Mikey. Dua Lipa po bën muzikën e “Bond””? Dhe Mikey u përgjigj: “Pse nuk duhet ta kisha thënë këtë? Ndihem keq tani. Më duket se shkatërrova gjithçka”.

Në fakt, emri i këngëtares kosovare ishte përmendur edhe më parë. Vetë ajo, në një intervistë, kishte thënë se nuk donte të spekulonte gjë, por nëse do t’i ofrohej, do ta bënte me shumë dëshirë.