Gazetarët Maria Ressa dhe Dimitry Muratov u vlerësuan sot me çmimin Nobel për paqen.

Komiteti norvegjez i çmimit prestigjoz vlerësoi dyshen e njohur për mediat në Rusi dhe Filipine, për përpjekjet e tyre për të ruajtur lirinë e shprehjes, si një gur themelor në ruajtjen e demokracisë dhe paqes.

Ressa, nga Filipinet, është themeluese e Rapler, një nga mediat më kritike të regjimit të Dutertes me politikën e tij agresive kundër drogës.

Muratov është themelues i gazetës Novaja Gazeta në Rusi, që sot është kthyer në një nga mediat më ndikuese në opinionin publik për kritikat ndaj regjimit të Putinit.

Çmimi që është dhënë 102 herë që prej vitit 1901, u jepet grupeve apo personave, të cilët angazhohen për të ruajtur sigurinë, paqen dhe të mirën e përbashkët në botë.

Në histori çmimi u është dhënë 25 organizatave, 17 grave dhe në të paktën dy raste është ndarë mes tre personave. Vetëm një i vlerësuar, vietnamezi Le Duc Tho, e ka refuzuar vlerësimin, të cilin e kishte marrë së bashku me politologun Henry Kissinger.

Vitin e shkuar çmimi iu dha Programit Botëror të Ushqimit. Program i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1961 me propozim të Presidentit të SHBA, Dwight Eisenhower, për të luftuar problemet e urisë në botë.