E marta mund të jetë dita e kurorëzimit të madh për Bayern Munich. Nëse fitojnë në transfertën e Weser Stadion ndaj Werder Bremen, bavarezët do të fitojnë edhe matematikisht titullin kampion, i 8-ti radhazi për Bayernin dhe i pari për trajnerin Hansi Flick. Kur mbeten edhe 3 javë nga fundi i këtij sezoni në Bundesliga, Bayerni kryeson me 7 pikë më tepër se Borussia e Dortmundit dhe në javën e 32-të do të sfidojë pikërisht Werderin e Milot Rashicës që është në vështirësi të mëdha dhe rrezikon seriozisht mbijetesën. Coutinho, Sule, Tolisso e Thiago Alcantara do të jenë mungesat e mëdha të miqëve në këtë takim ndërkohë që vendasit duhet të vuajnë mungesën e turkut Nuri Sahin. Bardhëjeshilët kanë më shumë nevojë se Bayerni për pikë por vështirë se skuadra e Hansi Flick do të tolerojë diçka në këtë transfertë të cilën do të keni mundësi ta ndiqni live në Digitalb nëpërmjet kanalit Eurosport 2.

Mesjava e futbollit në Supersport do të nisë që në orën 18:30 me një tjetër sfidë të Bundesligas atë mes Borussia Monchengladbach dhe Wolfsburg, një sfidë të cilën skuadra nga Borussia Park duhet ta fitojë me çdo kusht nëse dëshiron të shkojë në Champions League sezonin e ardhshëm ndërkohë që Wolfsburgu pozicionohet në vendin e 6-të dhe është në pozita komode për të siguruar kualifikimin në Europa League.  La Liga është një nga kampionatet më spektakolare të futbollit dhe nuk do të mungojë pothuajse për asnjë ditë në ekranin e Supersport nga tani e deri në fund të korrikut. Java e 28-të i ka lënë menjëherë radhën raundit të 29-të që nisi me atë barazim 1-1 të Sevillas në transfertën ndaj Levantes. Këtë të martë në orën 19:30 në Supersport do të keni mundësi të ndiqni takimin Villareal-Mallorca më nëndetsen e verdhë që nëse fiton mund të rrisë shanset e saja për të marrë pjesë në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm.

Në orën 22:00 do të jetë momenti i Barcelonës që për të ruajtur kreun edhe pas raundit të 29-të duhet të kalojë pengesën e radhës që quhet Leganes, një skuadër që pozicionohet e parafundit dhe fitorja për blaugranat mund të rezultojë një formalitet. Në Supersport këtë mesjavë do të vinë edhe gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Turqisë që do të nisin këtë të martë me një supersfidë. Në Stamboll Fenerbahce pret Trabzonsporin me shpresën për të përmbysur humbjen 2-1 të sfidës së parë. Kjo do të jetë edhe një sfidë brenda sfidës për dy futbollistë që në të kaluarën kanë luajtur në Shqipëri, Vedat Muriqin dhe Caleb Ekuban. Ky takim do të startojë në orën 19:45 dhe do të transmetohet live në Supersport 3.

/superpsort.al