Lazio-Napoli është sfida e luksit në Serie A për ndeshjet e raundit të pestë të këtij sezoni. Në orën 20:45 “Olimpico” i Romës pret dy prej skuadrave më në formë të Italisë në një duel spektakular ku grupi i Inzaghit duhet të konfirmojë momentin pozitiv, ndërsa ekipi i Sarrit do të vihet përballë testit të parë të vështirë të sezonit. Vetëm dy pikë i ndajnë skuadrat në klasifikim por as Lazio dhe as Napoli nuk e njohin humbjen ende këtë sezon. Një duel brenda duelit është edhe ai mes Strakoshës në portën e Lazios dhe Hysajt në krahun e djathtë të mbrojtjes së Napolit. Numri 1 i bardhekaltërve po korr frytet e punës së gjatë dhe këtë e tregoi edhe në transfertën e Genoas ku kreu një ndërhyrje vendimtare, ndërsa Hysaj mbetet një nga pikat e palëvizshme të formacionit të Maurizio Sarrit.

Po në mbrëmje, Milani pret SPAL në një test të lehtë në letër ku do të kërkojë një tjetër sukses pas fitores ndaj Udineses, ndërsa Juventusi pret Fiorentinën në Torino. Bardhezinjë me 4 fitore në po kaq ndeshje dhe me Dybalan e pandalshëm në sulm vijnë në këtë duel pas fitores në Sassuolo, ndërsa Fiorentina ka arritur të rikthehet në lojë pas dy humbjeve në javët e para. Në Benevento është radha e Romës që sfidon skuadrën nga Kampanja, ndërsa Atalanta pret në shtëpi Crotonen për një tjetër derbi shqiptarësh mes Berishës dhe Ajetit. Një tjetër takim që do të transmetohet në Supersport është edhe ai mes Udineses dhe Torinos.

Mesjavë e nxehtë edhe në Spanjë ku Real Madrid pret në orën 22:00 Real Betis. Skuadra e Zinedine Zidane vjen pas atij suksesi të rëndësishëm në San Sebasitian dhe objektivi kryesor është fitorja për të mos lëshuar terren ndaj Barcelonës. Përballja tjetër e Primera Division është ajo mes Athletic Bilbaos dhe Atletico Madrid. Baskët në formë të mirë këtë sezon do të kërkojnë të bëjnë surprizën ndaj klubit madrilen dhe në “San Mames” parashikohet një duel i ndezur.

Ndërkohë, në Supersport HD 4 do të transmetohen duelet e Bundesligës mes Hamburgut dhe Borussias së Dortmundit në orën 20:30 por edhe Koln-Flankfurt në të njëjtin kanal por në 18:30.