Pas tre ditësh kërkime është gjetur trupi i pa jetë i futbollistes shqiptare të lindur dhe rritur në Zvicër, Florijana Ismaili, që aktivizohej me Young Boys dhe kombëtaren helvete.

Ajo ishte zhdukur ditën e shtunë në Liqenin e Komos. Sipas asaj që shkruhet te “Corriere di Como”, zbulimi është bërë në një zonë të liqenit të thellë 204 metra.

Florijana, bashkë me shoqen e saj të ngushtë, kishin marrë një motoskaf me qira për të kaluar disa ditë relaks në Lario, Liqenin e Komos dhe ishin nisur nga Muso, duke e ndaluar motorrin 700 metra më tej.

Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, futbollistja 24 vjeçare ishte hedhur për t’u freskuar, për të mos dalë më. Temperatura jashtë ishte 33 gradë, ndërsa në ujë shumë e ftohtë, diçka që i ka shkaktuar menjëherë një komplikacion.