Një pinguin u gjet në brigjet e Zelandës së Re rreth 3,000 kilometra larg habitatit të tij natyral të Antarktidës. Vendasit e kanë quajtur me përkëdheli “Pingu” dhe është kthyer në virale.

Ai u gjet nga Harry Singh në bregdetin e Birdlings Flat në jug të qytetit Christchurch. Singh fillimisht pandehu se pinguini ishte një lodër, por pasi kishte nisur të lëvizë kishte rendur ta shpëtonte.

Ekspertët u befasuan kur u vunë në dijeni nga Singh për “Pingun”, i cili është i llojit Adelie, lloj ky që jeton vetëm në Antarktidë.

Veterinerët që e morën nën kujdes vunë re se Pingu ishte nën peshë dhe i dehidratuar, tregues i një aktiviteti të zgjatur lëvizjeje. Ai do të shpërngulet në një zonë jugore të Zelandës së Re ku do jetë i sigurt nga kafshët grabitqare.

Fotografi nga Harry Singh i Pingut në Zelandë të Re, Facebook.

Ky është rasti i treti në histori që një pinguin Adélie gjendet në brigjet e Zelandës së Re. Rastet e shkuara janë raportuar në vitin 1993 dhe 1962.

Lëvizjet e pazakonta të pinguinëve po shihen me shqetësim nga zoologët, të cilët e lidhin këtë dukuri kryesisht me ndryshimet klimaterike.