Sipërmarrësi i suksesshëm amerikan, Elon Musk, shiti 3% të ksioneve të kompanisë Tesla me vlerë rreth 5 miliardë dollarë.

Shitja e aksioneve të kompanisë që prodhon makina elektrike ndodhi pak ditë pasi Musk pyeti 63 milionë ndjekësit e tij në Twitter nëse “duhet t’i shesë apo jo 10% aksione të Teslas?”.

Vlera e aksioneve të kompanisë ranë me rreth 16% në dy ditët e para pasi sondazhi u përmbyll në favor të shitjes. Të mërkurën vlera u ngrit sërish.

Tesla është prodhuesi më i vlerësuar në tregun e makinave në botë, me një vlerësim në bursë prej më shumë se 1 trilion dollarë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se Musk i kishte planifikuar shitjet e të paktën 3% të aksioneve që gjatë muajit shtator, shumë përpara postimit në Twitter.

Mbetet e paqartë nëse ai ka vullnet të shesë edhe 7% të tjera, sikurse e ka shprehur në rrjetet sociale.

Në postimin e tij në Twitter u angazhuan 3.5 milionë përdorues, të cilët votuan 57.9% “pro” dhe 42.1% “kundër”.

Musk është një nga më të pasurit në botë. Pasuria e tij përllogaritet të jetë me rreth 280 miliardë dollarë.