Java e 12-të e Serie A do të startojë sot me sfidën Empoli-Genoa që do të luhet në stadiumin “Castellani” në orën 20:45 dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në kanalin Oversport 1.

Empoli ka nisur shumë mirë sezonin dhe aktualisht e sheh veten në mesin e renditjes së Serie A në kuotën e 15 pikëve. Pas fitores së arritur të transfertë përballë Sassuolos një javë më parë, të besuarit e teknikut Andreazzoli kërkojnë një tjetër sukses në sfidën e sotme kundër Genoas.

I skualifikuari Stojanovic është mungesa e vetme e Empolit në këtë takim. Duket se sfidën e sotme shqiptarët që luajnë për skuadrën vendase (Bajrami, Ismajli, Asllani dhe Ujkani) do ta nisin nga stoli.

Në krahun tjetër qëndron Genoa që po kalon një moment të vështirë. Kuqeblutë kanë 8 javë që nuk arrijnë të fitojnë dhe tashmë e shohin veten në zonën e ftohtë që të zbret në kategorinë inferiore.

8 pikë në 11 ndeshje janë shumë pak për drejtuesit e Genoas dhe një tjetër rezultat negativ në transfertën e sotme mund t’i kushtojë vendin e punës teknikut Davide Ballardini.

Destro do të mungojë në sfidën kundër Empolit bashkë me të dëmtuarit Cassata, Bani, Vanheusden, Maksimovic, Hernani dhe Fares.

Formacionet e mundshme:

Empoli (4-3-1-2): Vicario; Fiamozzi, Viti, Romagnoli, Parisi; Haas, Ricci, Bandinelli; Henderson; Pinamonti, Cutrone

Genoa (4-3-1-2): Sirigu; Cambiaso, Biraschi, Vasquez, Criscito; Rovella, Badelj, Sturaro; Galdames, Pandev, Caicedo.