Facebook po planifikon të punësojë 10,000 njerëz në BE për të zhvilluar projektin e ashtuquajtur “metaverse”.

Ky projekt parashikon krijimin e një bote virtuale në internet ku njerëzit mund të luajnë, punojnë dhe komunikojnë, shpesh duke përdorur kufje me syze VR.

Drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg e ka mbështetur prej kohësh këtë koncept.

Njoftimi vjen teksa kompania po përballet me kritika të shumta për menaxhimin dhe ndikimin e shfrenuar te fëmijët.

Sipas projektit Facebook do të krijojë brenda pesë viteve të ardhshme rreth 10 mijë vende pune me inxhinierë të specializuar teksa synon të hapë një treg të ri për të tërhequr konsumatorët në BE.

Gjigandi i rrjeteve sociale thotë se metavers nuk do të krijohet “brenda natës” dhe se për këtë projekt do të bashkëpunojë me kompani të tjera. Për këtë Facebook ka mbështetur me 50 milionë dollarë dhjetëra organizata jofitimprurëse që punojnë në botën e kibernetikës.

Për krijimin e “metaverse” mund të duhen 10 deri në 15 vite.

Kritikët thonë se ky lajmërim bëhet me kast nga Facebook për të shmangur vëmendjen nga skandali i Frances Haugen. Ish-punonjësja e Facebook denoncoi disa javë më parë se kompania fshehu shpërndarjen e një studimi në rrjetet sociale që nxirrte në pah efektet negative te të rinjtë.

Sipas Haugen, nëse Facebook do ta ndryshonte algoritmin aktual që dikton shpërndarjen e përmbajtjes, kompania do të kishte më pak të ardhura.