Feronikeli është vetëm një hap larg historisë. Pasi përsëriti atë që bëri Drita sezonin e kaluar, duke fituar turin paraeliminator dhe duke u kualifikuar në turin e parë të Champions League, kampionët e Kosovës, falë një paraqitjeje fantastike morën një rezultat të shkëlqyer në transfertën e Uellsit ndaj The Neë Stations. 2 gola në minutat e fundit jo vetëm që i evituan humbjen skuadrës së Zekirija Ramadanit por i dhanë një bonus të madh Feronikelit që barazoi 2-2 në sfidën e parë të turit të parë të Champions League ndaj TNS dhe pas 1 jave në stadiumin Fadil Vokrri do të tentojë të presë biletën historike të kualifikimit në turin e dytë të Champions League që do t’i siguronte njëkohësisht edhe pjesëmarrjen në turin e tretë kualifikues të Europa League.

Feronikeli bëri një paraqitje shumë të mirë në Uells por u ndëshkua nga dy gabime individuale pasi një penallti e shkaktuar nga një mbrojtës i skuadrës kosovare dhe një gol i pësuar për një dalje totalisht të gabuar të portierit Troshupa i dhanë avantazhin e dyfishtë TNS-së që në minutën e 77-të dukej se kishte mbyllur çështjen e kualifikimit. Por papritur Feronikeli u zgjua dhe me meritë realizoi dy gola në harkun e 4 minutave në të 89-ën dhe 93-ën, duke marrë një barazim historik në Uells. Mevlan Zeka me kokë shkurtoi diferencat ndërkohë që Astrit Fazliu kthehu në gol një 11-metërsh të shkaktuar pas një prekjeje të topit me dorë brenda zone. Një rezultat 2-2 që favorizon skuadrën kosovare që pas 1 jave në Fadil Vokrri do t’i mjaftonte edhe një barazim 0-0 ose 1-1 për të kaluar turin e parë.

Burimi: supersport.al