Vazhdimi i Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Evropian për Fëmijë “AniFest A-GJIRO21”  do të mbahet në Gjirokastër në datat 11-12-13 tetor 2021.

“Ky festival do të jetë një garë e prezantimit të vlerave të filmave të animuar për fëmijë,  nga shkollat e filmit të animuar dhe artistik ndërkombëtar, të përzgjedhur për konkurrim” – thotë drejtori artistik  z. Artan Maku.

Aplikimi për edicionin e këtij viti u mbyll në 15 prill 2021. Kanë aplikuar 395 filma me metrazh të shkurtër nga e gjithë bota. Pas tri fazash garimi, grupi seleksionues ka përzgjedhur 69 filma për fazën gjysmëfinale.  Ndërsa në fazën finale do të shfaqen 18 filma si edhe 7 filmat që morën çmime në festivalin ndërkombëtar që u realizua gjatë gushtit në Shirokë, Shkodër. Filmat janë realizuar nga krijues me eksperiencë ndërkombëtare, nga studentë, por edhe nga fëmijët.

Situata që kemi lënë pas në 11 edicionet e para, për ne organizatorët e festivalit ishte analizë dhe reflektim. U konstatua se periudha 1-vjeçare e ka sjellë festivalin më të konsoliduar dhe duhet të shkëputet nga festivalet e zakonshme

që kanë si objektiv kryesor zhvillimin e audiencës. Mjaft vrapuam te sasia e filmave që shfaqim. Duhet që shikimin ta hedhim fort te vlera artistike e filmave dhe të kemi prioritet argëtimin dhe edukimin e fëmijëve nëpërmjet filmave me vlera cilësore artistike. Kështu që, në bashkëpunim me platformën TIBO, e cila është vërtet një përçuese e cilësisë dhe vlerave edukative, këto krijime mund t’i shikoni në kanalin Sole Tv dhe në formatin On Demand të kësaj platforme.

Pra, ky festival nuk është thjesht një shfaqje filmash, por organizatorët kanë menduar ta kthejnë atë edhe në një shkëmbim përvojash, ku do të ketë workshop-e dhe trajnime në edukimin e fëmijëve me gjuhen e filmit. Piktorë e kineastë të ndryshëm do të jenë të pranishëm në ditët e festivalit. Festivali synon të rrisë kreativitetin dhe të zvogëlojë problemet e shumta që kanë fëmijët aktualisht në vendin tonë.

Të gjithë filmat e realizuar për fëmijët nga fëmijët janë gjykuar nga një juri ndërkombëtare dhe profesioniste por edhe nga një juri me fëmijë nga Shkodra, Tirana dhe Gjirokastra, e cila do t’i shikojë filmat në datat 12 dhe 13 tetor 2021.

Ky festival organizohet nga shoqata “AniFest” në bashkëpunim me Shoqërinë filmike “MAKU PRODUCTION“, Shoqatën e Krijuesve të Filmit të Animuar “ALBANIMATION”, partner dhe mbështetës kryesor Bashkinë e Gjirokastrës , Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe platformën TIBO si media partner.