Për shqiptarët, të udhëtojnë jashtë vendit tashmë do të kushtojë edhe më lirë. Duke nisur nga dita e djeshme, kësaj liste të vendeve “low cost” u është shtuar edhe Amsterdamit.

Ka qenë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili njoftoi se të gjithë shqiptarët duke nisur nga 10 Maji do të kenë mundësi të udhëtojnë më lirë drejt Amsterdamit. Kjo falë një marrëveshje të arritur mes dy qeverive përkatëse.

Por po ashtu, pak ditë më parë, në aeroportin e Rinasit u ul për herë të parë avioni i kompanisë “Wizz Air”, e cila do të mundësojë fluturime më të lira drejt Budapestit.

Por sa do të kushtojnë realisht biletat e udhëtimit?

Sipas asaj që bën të ditur Monitor, shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë drejt Budapestit më lirë, dy herë në javë, përkatësisht të mërkurën dhe të dielën . Bileta më e lirë vajtje ardhje është 85 euro dhe këtë mund ta gjeni vetëm për nisje në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit.

Ndërkohë për të udhëtuar drejt Amsterdamit, me çmim shumë herë më të lirë, do të jetë e mundur 3 herë në javë. Bileta vajtje-ardhje kushton 86 euro, ndërsa në korrik biletat shtrenjtohen ndjeshëm. Psh për vajtje në datën 21 korrik dhe kthim në datën 24 korrik, kushton 247 euro. Edhe në gusht janë po kaq të shtrenjta.

Biletat për në Amsterdam fillojnë e bëhen më të lira vetëm në shtator, ku, nëse prenotoni sot mund të gjeni fluturime që kushtojnë 78 euro. Fluturimet janë të programuara deri në tetor, ku çmimet janë relativisht të njëjta me shtatorin.

Megjithatë, duke ditur çmimet e kripura që rëndonin deri në këto ditë për shqiptarët, mund të themi se këto mundësi janë vërtetë një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.