Futbollisti 18-vjeçar Pedri ka zgjatur kontratën me Barcelonën, e cila ka përfshirë një klauzolë prej 1 miliard eurosh për prishjen e saj.

Mesfushori spanjoll do të luajë me katalanasit deri në vitin 2026 dhe me klauzolën në fjalë permanenca e tij te klubi është më se e garantuar, pasi zor se ndokush do mund të marrë përsipër një kosto kaq të madhe.

Braziliani Neymar, i cili kaloi te PSG pasi prishi kontratën me Barcelonën, pagoi duke u mbështetur nga Fondi i Katarit 222 milionë euro për t’u liruar nga kontrata në vitin 2017. Transferimi i tij, mbetet më i kushtueshmi në historinë e futbollit.

Në rastin e Pedrit, ai ka rënë në sy për talentin dhe veçorinë e jashtëzakonshme fizike. Sezonin e fundit ai luajti 53 ndeshje me Barcelonën, ishte pjesë e përfaqësueses së Spanjës në evropian dhe luajti deri në gjysmë-finale. Po kështu u përfshi edhe me përfaqësuesen që luajti në Lojërat Olimpike.

Pedri rezulton lojtari më i aktivizuar te Barcelona. Në evropian u përfshi në skuadrën më të mirë të turneut ndërsa në lojërat olimpike fitoi një medalje argjendi.

18-vjeçari është tashmë simbol i Barcelonës së re, teksa drejtuesit synojnë që njësoj si me të, t’i zgjasin kontratën me një klauzolë të majme edhe talenteve të tjera si Ansu Fati dhe Gavi.