Hamburg – Edhe tani, pas më shumë se 70 vjetësh nga mbarimi i konfliktit, shumica e bunkerëve të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani, përdoren ende si banesa apo muzeume, nga kompani shtetërore dhe organizata të tjera. Vetëm në Hamburg, ndodhen qindra prej strehimoreve kundër sulmeve ajrore, më i famshmi prej të cilëve është ndoshta bunkeri në Feldstraße.

Ai ofron ofron hapësirë ​​për zyra, dhe është shtëpia e klubit të natës Übel & Gefährlich. Madje ka plane që aty të ndërtohet një kopsht dhe një hotel. Deri kohët e fundit, rreth 30 bunkerë në qytet – kryesisht nëntokësore – ishin ende në pronësi të shtetit. Sot janë shitur thuajse të gjithë.

Vetëm 5 bunkerë, janë ende në shitje nga Instituti Federal për Pasuritë e Patundshme. Disa do t’i shiten investitorëve privatë, dhe disa bashkisë së Hamburgut. Në landin fqinj Shlezvig-Holshtein, instituti kishte nxjerrë në shitje 13 bunkerë. Tashmë ata janë janë shitur që të gjithë, për një shumë të ngjashme me atë që do të duhej për të blerë një shtëpi të  madhe.

“Gjatë 10 viteve të fundit, çmimi mesatar i shitjes në Shlezvig-Holshtein dhe Hamburg ishte 700.000 euro”- thotë zëdhënësi i institutit. Bunkerët kushtojnë më shumë në Hamburg, mesatarisht 1 milion euro secili. Në mbarë vendin, çmimi mesatar i shitjes së një bunkeri anti-ajror ka qenë mesatarisht 270.000 euro.

Duhet theksuar se në shitje janë nxjerrë vetëm bunkerët e ndërtuar për të mbrojtur qytetarët e zakonshëm, dhe jo ato që përdoren nga ushtria. Në mbarë vendin, më shumë se 250 bunkerë mbitokësorë janë shitur, që kur qeveria vendosi në vitin 2016 të shiste të gjitha strehimoret publike kundër sulmeve ajrore.

Qyteti i Hamburgut, zotëron aktualisht 23 bunkerë. Por siç thotë Klas Riker, drejtues i departamentit të financave në këtë bashki, 7 prej tyre janë të papërdorshëm, pasi ndodhen në parqe ose zona me trafik. Në ndonjë rast, bunkerët janë shkatërruar për të krijuar hapësirë ​​për shtëpitë e banimit.

Shumica janë dhënë me qira afatgjata. “Jo të gjithë bunkerët ia vlejnë të modifikohen”- thotë Andreas Dresel, po nga bashkia e Hamburgut. “Ne e shohim gjithmonë secilin rast individual me shumë kujdes, për të përcaktuar nëse dhe si mund të përdoret një bunker. Ka pasur disa shembuj kreativë shumë të mirë të shndërrimit të tyre”-deklaroi ai.

Modifikimit pritet t’i nënshtrohet bunkeri në rrugën 195 Marckmannstraße, një monument i mbrojtur me ligj, që së shpejti mund të shndërrohet në një muzeum dhe vend koncertesh. Të tjerë, siç është bunkeri Steintorëall, një strukturë nëntokësore në stacionin kryesor hekurudhor të Hamburgut, përdoren si muzeume.

Rëndësia e saj historike, e bën ideal këtë vend. “E tëra është një copë muzeu”- shprehet Sandra Latusek e organizatës “Hamburg Underworlds”. “Ne nuk po ndryshojmë asgjë’- shtoi ajo. Bunkeri nëntokësor i përket qytetit, por do të përdoret dhe menaxhohet nga “Hamburg Underworlds”, që do të jetë përgjegjës për kostot, rinovimin dhe mirëmbajtjen.

Dhe si monument kulture, bunkeri ka shumë për të thënë, pasi katastrofat nuk i përkasin vetëm së kaluarë. Në fakt, ndërtesa tregon dy histori. E para ka të bëjë me bombardimet shkatërruese gjatë Luftës së Dytë Botërore. E dyta i përket një historie të Luftës së Ftohtë, dhe jetës me frikën e kërcënimit bërthamor.

Ishte një frikë që karakterizoi vitet e pas luftës, dhe që reflektohet sot në kërcënimin gjithnjë e më aktual të terrorizmit. Frika se pre e një sulmi mund të bjerë cilido prej nesh, dhe në çdo kohë. Bunkeri i Steintorëall u ndërtua midis viteve 1941- 1944, kur Hitleri urdhëroi zbatimin e një programi për ndërtimin e strehimoreve në qytetet që ishin më të prekshme nga bombardimet, për shkak se aty ndodheshin fabrika të rëndësishme të armatimeve.

Hamburgu u përcaktua si një nga qytetet më të rëndësishëm, dhe për ndërtimin e bunkerëve u përdor puna e detyruar e të burgosurve. Struktura e tij përbëhet nga 2 dhoma të mëdha të pavarura, por të lidhura mes tyre, me përmasa totale 2.700 metra katrorë. Ai ishte menduar të përdorej nga 2.460 njerëz.

Por mendohet se gjatë bombardimeve, aty janë strehuar deri në 6.000 njerëz. Sot në bunker, nuk ka mbetur asgjë nga ndërtesa origjinale e viteve 1940. “Gjithçka që shohim këtu vjen nga epoka e Luftës së Ftohtë”- thotë Latusek. Britanikët hodhën në erë shumë bunkerë pas vitit 1945. Por kjo nuk ndodhi me bunkerin e Steintorëall, pasi ai ishte shumë pranë stacionit të trenit.

Në fillim, bunkeri u përdor si strehimore, më vonë si hotel. Kur konflikti Lindje-Perëndim, rriti frikën e një Lufte të Tretë Botërore, bunkeri nëntokësor u përshtat për të siguruar mbrojtje kundër armëve bërthamore, biologjike dhe kimike. Sot ai është i hapur për vizitorët, që mund ta vizitojnë të shoqëruar nga ciceronët, dhe të mësojnë prej tyre sekretet e historisë së tij “nëntokësore”.

Burimi: cna.al