Katër sfida të nxehta për të përcaktuar katër skuadrat e radhës që do të jenë pjesë e fazës së 1/8-ave të Botërorit. E veçanta në grupet është se asnjë ekip nuk e ka siguruar kualifikimin, pra gjithçka do të ndahet në përfundim të ndeshjeve të raundit të tretë.

Në orën 16:00, në Grupin F, zhvillohen Meksikë-Suedi dhe Kore e Jugut Gjermani. Kampionët e botës në fuqi, pas atij goli të shënuar në sekondat e fundit të shtesës, që u dha fitoren ndaj Suedisë, e kanë fatin në dorën e tyre. Mjafton të fitojnë me diferencë 2 e më shumë gola ndaj Koresë së Jugut, për ta patur të sigurt kualifikimin, por jo vendin e parë.

Nëse Suedia barazon me Meksikën, Gjermanisë do t’i mjaftonte barazimi me Korenë në rast se është me më shumë gola. Meksika do të eliminohej në rast se humbet me dy a më shumë gola me Suedinë si dhe fiton Gjermania. Ekziston edhe një skenar tjetër, utopik, që kualifikon Korenë e Jugut. Kjo ndodh në rast se përfaqësuesja aziatike fiton me diferencë golash me Gjermaninë dhe Suedia mposhtet nga Meksika.

Në mbrëmje, në orën 20:00, zhvillohen njëkohësisht dy takimet e Grupit E, Serbi-Brazil dhe Zvicër-Kosta Rika. Sigurisht që vëmendja kryesore shkon për sfidën e Moskës, ku 5 herë kampionëve të botës do t’u duhet të shmangin humbjen me Serbinë për të siguruar kualifikimin. Një përballje e zjarrtë kjo, duke patur parasysh që Zvicra me shqiptarët Xhaka, Xhaqiri, Behrami dhe Xhemaili do të kenë më të thjeshtë detyrën me Kosta Rikën. Helvetët me një fitore me diferencë golash mund t’i marrin vendin e parë Brazilit, ndërsa Serbia ka vetëm një rrugë për t’u kualifikuar: të mposhtë “Seleçaon”.

Ekziston edhe një skenar që eliminon Zvicrën: nëse përfaqësuesja Helvete humbet me diferencë golash me Kosta Rikën dhe Serbi-Brazil përfundon ose barazim ose me fitoren e ngushtë të Serbisë.