Një gjykatë amerikane urdhëroi kompaninë e makinave elektrike Tesla t’i paguajë 137 milionë dollarë dëmshpërblim një ish-punonjësi të saj.

Vendimi erdhi pasi kompania u pa se kishte bërë një sy qorr përballë diskriminimeve raciste që ish-punonjësi kishte vuajtur.

Owen Diaz punoi për rreth një vit në periudhën 2015-2016 te fabrika e makinave Tesla në Fremont të San Franciscos. Atje ai u përball me etiketime të rënda raciste ku dokumente të ndryshme tregojnë se kompania nuk i mori parasysh ankesat e tij.

Diaz i tha gjykatës se në atë periudhë punonjës të ndryshëm pikturonin kryqe naziste (zvastika) nëpër mure dhe i drejtoheshin atij dhe punonjësve të tjerë me ngjyrë me fyerje dhe kërcënime.

Gjykata gjeti në shkelje kompaninë, e cila nuk kishte marrë në asnjë rast masa për të dënuar këtë mjedis pune. Ndaj ajo vendosi 130 milionë dollarë si dëmshpërblim për sulmet dhe 7 milionë të tjera për dëm emocional.

Në një njoftim për shtyp kompania reagoi duke theksuar se do ta apelonte vendimin. Ajo këmbënguli se situata aktuale nuk ka lidhje me periudhën e viteve të shkuara dhe se tashmë gjërat janë rregulluar.