Greqia i ka kërkuar Britanisë së Madhe që t’i kthejë skulpturat antike të hequra nga Partenoni në Akropolin e Athinës rreth 200 vite më parë.

Kërkesa është përfshirë në agjendën e takimit që do të kenë sot dy kryeministrat përkatës, Boris Johnson dhe Kyriakos Mitsotakis.

Çështja ka të bëjë me 17 skulptura mermeri të kompozuara për monumentin 2500-vjeçar grek.

Ato u morën nga Thomas Bruce, njohur më së shumti si Lordi Elgin, i cili teksa shërbente si diplomat në shekullin e XIX-të, ua bleu ato Perandorisë Osmane.

Në vitin 1816 qeveria britanike pagoi £350,000 për t’ia blerë Lordit Elgin skulpturat. Prej asaj kohe ato që njihen edhe si “Mermerët e Elginit” ekspozohen në Muzeun Botëror të Londrës.

Prej pavarësisë, në vitin 1832, Greqia ka kërkuar disa herë që t’i kthehen pas skulpturat. Ajo e ka kërkuar këtë edhe përmes UNESCO-s, mirëpo nga Kombet e Bashkuara është thënë se çështja është në dorë të vullnetit britanik.

Prej vitit 2009 në Athinë “Muzeu i Akropolit” ka bosh një pavijon për skulpturat. Nga ana tjetër britanikët thonë se “skulpturat janë trashëgimi e përbashkët e të gjithëve” dhe se “ato janë blerë në mënyrë të ligjshme”.