Greta Thunberg do të udhëheqë një marshim proteste në Glasgow të Skocisë ku po mbahet këtë javë samiti për klimën. Ajo ka organizuar së bashku me shkollat lokale një protestë me të rinjtë. Simbolikë kjo që çështja e ngrohjes globale kërcënon më së shumti të ardhmen e tyre.

Por kush është aktivistja suedeze?

Thunberg është kthyer nga “ajo 15-vjeçarja që protestonte e vetme jashtë parlamentit suedez” në një nga fytyrat më të njohura në botë për sa i përket aktivizmit për mbrojtjen e mjedisit.

Ajo organizoi fillimisht një “grevë shkollore për klimën” në gusht 2018. Thunberg, e cila tanimë është 18 vjeçe, mori vëmendjen e mediave ndërkombëtare me fjalimet e saj tejet emotive.

Suedezja dëshiron që njerëzit në pushtet në mbarë botën të veprojnë me më shumë urgjencë në trajtimin e emetimeve të dëmshme.

“Me fjalët e tua boshe më ke vjedhur ëndrrat dhe fëmijërinë time”, tha në samitin e OKB-së për klimën në Nju Jork në vitin 2019, një nga shprehjet e saj më të famshme drejtuar politikanëve.

Në vitin 2019 revista Time e shpalli “Personalitetin e vitit”. Aktualisht është bërë fytyra e aktivizmit global të klimës.

Por Thunberg është vetëm një nga mijëra aktivistë të rinj mjedisorë në mbarë botën.

Lëvizja e Thunberg u bë e njohur si “Të premtet për të ardhmen”, gjë që ka çuar në greva të koordinuara globale të shkollave për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Demonstratat më të fundit u zhvilluan muajin e kaluar në më shumë se 1,500 vende në mbarë botën, duke filluar me protesta të vogla në Filipine dhe Bangladesh dhe duke u përhapur në qytetet evropiane duke përfshirë Varshavën, Torinon dhe Berlinin.