Sipërmarrësi erdhi në Bolzano në moshën 13 vjeçare dhe tani punon me kompanitë italiane. Pesëmbëdhjetë seli, 3.000 të punësuar dhe një xhiro prej 20 milionë euro në vit.

Shikim drejt objektivit, xhup gri, orë plastike në dorën e majtë dhe dy gishta të ngritura lart në shenjë ngazëllimi. Mars 1991, stacioni hekurudhor i Monguelfo (Bolzano)”, kështu e nis e përditshmja italiane Corriere della Sera për Agron Shehajn.
“Jam unë, në moshën 13 vjeçare. Foton e ka bërë Guido Perini, një fotograf i zonës i cili ndodhej aty për të dokumentuar ardhjen e një grupi emigrantësh shqiptar”, thotë Agron Shehaj duke treguar foton.

Afër çerek shekulli më pas, pasi zbarkoi me familje nga Vlora, ai është bërë një nga padronët e call center-ave në Evropë. Intercom Data Service (IDS) ka 15 zyra në Shqipëri, më shumë se 3,000 të punësuar, në masën më të madhe shqiptarë, ndonjë prej tyre italianë dhe anglezë. Ai llogarit një xhiro vjetore rreth 20 milionë euro, me seli qendrore në zonën e ish-Bllokut.

 

Zbarkimi në Brindisi

Agroni, i përket valës së parë të emigrantëve shqiptarë. “Zbarkova në Brindisi, pas një udhëtimi të gjatë me një anije ushtarake shqiptare,” kujton ai.
“Tentuam të hyjmë përmes ambasadës italiane në Tiranë për të kërkuar azil politik, por atë ditë zyra ishte e mbyllur. U kthyen në Vlorë, pritëm rastin më të mirë. Në udhëtim ishin unë, mamaja, babai, vëllai i vogël dhe qindra bashkatdhetarë të tjerë. Një udhëtim i gjatë, por ne fëmijët na vendosën që të flinim. U zgjova nga zhurma e helikopterit mbi kokë në portin e Brindisit. Pak orë më pas unë dhe familja ime hipëm në një tren që do të na çonte drejt veriut të Italisë. Na zbritën në Monguelfo dhe mikpritja ishte e jashtëzakonshme, banorët e zonës na ofronin ushqime e veshje. Pak ditë më vonë një zotëri na ndaloi në rrugë dhe mua dhe vëllait na dhuroi një biçikletë”.

 

“Dallimi me Shqipërinë”

Efekti nga vendi? “Një parajsë! Kishte rregull që ne nuk e kishim parë kurrë, çdo gjë ishte e bukur dhe e kuruar. Krejt e kundërta e Shqipërisë”. Tre muaj më pas familja e Agronit zhvendoset në Bolzano.

Më pas djali shkon në Firence për të studiuar për Ekonomi dhe biznes në universitet.
“Duke pritur për të diskutuar tezat kam bërë disa intervista për të punuar në një bankë në Milano dhe mendova se kishte kuptim që të hapja një Call Center në Shqipëri, pasi pashë dhe si vepruan indianët me kompanitë amerikane.”

Shqiptarët flasin italisht, kostoja e punës ishte e ulët përse të mos ofronim këtë shërbim për sipërmarrjet që ndodheshin përtej Adriatikut? Lindi kështu në nëntor 2005, IDS, kompania që futi në krizë sektorin në Itali.

“Por unë kam limitet e mia”, shpjegon pronari. “Linjat e mia telefonike nuk ofrojnë shërbime që dëmtojnë njerëzit. Nuk bëjmë asnjë kontratë me kompanitë që ofrojnë shërbime të ndaluara për të miturit, kumar apo investime të rrezikshme financiare”.
A keni menduar ndonjëherë që t’i futeni politikës?
“Jo, faleminderit. Mund të kontribuohet për komunitetin edhe përmes sektorit privat, duke krijuar vende të reja pune”.

I martuar me një bashkatdhetare (“së shpejti do ta marrë edhe ajo pasaportën italiane “), me dy fëmijë, ka vendosur që të transferohet në Milano.
“Në familje flitet shqip. Fëmijët kanë lindur në Itali, gjuha e tyre kryesore është italishtja, por duhet të mësojnë edhe gjuhën e prindërve. Origjina nuk duhet harruar kurrë”.