Një shqiptare ulet për herë të parë në Parlamentin Europian. Ajo është Arba Kokalari, që jeton prej vitesh në Suedi. 32-vjeçarja shqiptare mori mbështetjen e suedezëve në zgjedhjet për parlamentin Europian që u zhvilluan ditën e diel. Kokalari arriti që të fitonte me partinë e Moderatëve suedezë, pjesë e Partisë Popullore.  

“Unë kam hyrë në Parlamentin Evropian! Faleminderit për të gjithë ata që kanë luftuar për mua!” shkruante deputetja më e re e PE-së, Arba Kokalari në Facebook pas daljes së rezultateve. Partia e Arbës fitoi 17.6 % të votave të përkthyera në katër deputetë në PE.

Por kush është Arba Kokalari? Lindi në Tiranë më 27 nëntor 1986 dhe është mbesa e Musine Kokalarit së diplomuar në “La Sapienza” të Romës në vitin 1941, por që u dënua dhe internua më vonë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe vdiq në 1983-shin. 

Arba Kokalari u largua nga Shqipëria ndërsa vitet e fundit ishte mjaft aktive në partinë e saj ku udhëhoqi rininë dhe departamentin e Kulturës në qytetin e Stokholmit. 

Ishte vetëm 16 vjeçe kur nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndryshe nga shumë bashkëmoshtarë të saj. Ajo e shikon politikën si të lidhur ngushtësisht me jetën e saj, pasi edhe studimet i ka mbaruar pikërisht për Politikë dhe Politikë Europiane.

Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj shqiptarët që jetojnë në Suedi kishin një arsye më shumë për ta votuar atë të jetë një deputete në PE.

Pas fitores së arritur, 32-vjeçarja shqiptare ka marrë shumë urime nga shqiptarët në mbarë botën, por edhe politikanët në Tiranë.