Milani ka marrë fitoren e katërt radhazi në Serie A dhe këtë e ka arritur në derbi kundër Interit. Triumf me rezultatin 1-2 për skuadrën e Stefano Pioli, që me 12 pikë kryeson kampionatin në Itali.

Njeriu i ndeshjes ishte padyshim Zlatan Ibrahimovic. Dy gola të shënuar për katër minuta, fillimisht pas pritjes së penalltisë nga Handanovic dhe më pas kur Leao asistoi në mënyrë perfekte për të. Lukaku pa u mbyllur pjesa e parë e futi Interin sërish në lojë, teksa shifrat shkuan në 1-2.

Pjesa e dytë ishte më e luftuar. Interi u mundua të shënonte, por Milani u mbrojt mirë. Zikaltrit fituan dhe një penallti për një ndërhyrje të gabuar të Donnarummas, por VAR-i anuloi gjithçka. Një sfidë që do të mbahet mend gjatë, pasi Milani thyen mallkimin 4 vjeçar pa fitore në derbi sa i përket kampionatit.