Ideja e Superligës evropiane është akoma gjallë, sipas asaj që shkruan “Cadena Ser”, klubet që e kanë formuar para se ta braktisnin (përveç Juventusit, Barcelonës dhe Realit të Madridit), po punonin për një format të ri të turneut, bazuar në meritat sportive dhe jo tek historia dhe tradita.

Skuadrat duhet të fitojnë pjesëmarrjen në turne, falë paraqitjeve në fushën e lojës: “Superliga është një turne i hapur për të gjithë klubet europiane, nuk do të ketë anëtarë të përhershëm apo vende fikse”, shpjegon “Cadena Ser”, që ka në dorë disa dokumente ku flitet për një kompeticion të ndarë në dy kategori, ku do të ketë ngjitje dhe zbritje në kategori.

Joan Laporta, presidenti i Barcelonës në një intervistë për “Sport” ka thënë: “Superliga nuk është lënë kurrë mënjanë, mbetet një ide e gjallë dhe e hapur për dialog me të gjithë përbërësit e futbollit, po punojmë bashkë me Juventusin dhe Realin e Madridit. Ndërkohë po arrijmë suksese në gjykata të ndryshme”/Oversport.tv